Bregu: Reforma duhet votuar, është e vetmja zgjidhje

19/07/2016 00:00

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, edhe Majlinda Bregu, deputete e kësaj force politike, deklaroi se reforma duhet të votohet.

Majlinda Bregu, deputete e PD: Besoj që çdo ambasador që është në Shqipëri vjen me një mision dhe detyrë të caktuar. Sigurisht ata që janë ambasadorë të vendeve anëtare kanë marrëdhënie bilaterale, por bëhet fjalë për ambasadorin e Bashkimit Europian përfaqëson më shumë shtete anëtare. Në të njëjtën mision gjatë kësaj reforme kanë qenë, përveçse me dëshirën e mirë për të ndihmuar që të kalojë një reformë në drejtësi e vërtetë dhe e drejtë për qytetarët shqiptarë, unë nuk shoh asnjë arsye tjetër. Të them të drejtën filmat me diversantë e desantë ajrorë nuk i shoh që kur kam qenë kalama, kështu që nuk dua të mendoj që ka ndonjë arsye tjetër përveç faktit që kjo është një reformë jetike për qytetarët dhe është një reformë jetike për të gjitha forcat politike. Nuk them asnjë gjë të re dhe nuk bëj lajm në rast se përsëris veten në më shumë se sa një vit, e kam thënë edhe sot në mbledhje: kjo reformë ditën e enjte duhet të votohet! Partia Demokratike nuk ka koalicion me forcat e tjera politike jashtë spektrit të saj, Partia Demokratike duhet të vazhdojë të ketë koalicion me shqiptarët, koalicion me atë të papunin i cili nuk ka mundësi të kërkojë të drejtën e tij, koalicion me atë që përfundon në burg dhe nuk ka të drejtë të marrë të drejtën e tij, koalicion më atë që nuk përfiton shërbimin mjekësor në këtë vend, koalicion me atë gruan apo atë njeriun që shkon para derës gjykatës dhe nuk merr drejtësi, qëndrojmë në krahun e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm të këtij vendi që e kanë mbi supe edhe njollën e disa të tjerëve që e kanë bërë drejtësinë në Shqipëri si pazar, qëndrojmë në krahun e atyre politikanëve të ndershëm të këtij vendi që nuk kanë asnjë lidhje me krimin e korrupsionin përveçse dëshirën për ta parë vendin e tyre të eci përpara. Ky është koalicioni i vetëm që i duhet Partisë Demokratike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta