
Katër persona janë arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nga forcat e policisë së Elbasanit, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Ndaj shtetasve Kristaq Piligriu, 59 vjeç; Argjir Panariti, 64 vjeç; Stavri Çipa, 59 vjeç; si dhe Gëzim Pitja, 53 vjeç, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi këta shtetas, duke qenë me detyrë kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Uzinëne Lëndëve Plasëse të Mjekësit, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën dhe shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tenderin e zhvilluar për “shitje skrapi dhe lëndësh plasëse TNT”, procedurat e tenderimit “koncerti i trashëgimisë kulturore shqiptare”, si dhe sponsorizime të tjera të kryera nga kjo uzinë.
Policia po punon ende për kapjen e shtetasit në kërkim, të identifikuar me inicialet D.K., 64 vjeç, edhe ky banues në Elbasan, si gjithë të tjerët e mësipërm. Ekzekutimi i masave të sigurisë është kryer nga specialistët e sektorit për hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Top Channel