Edi Rama nuk u shfaq i habitur apo i zhgënjyer nga përgjigjia e Partisë Demokratike, qëndrimin e të cilës e quajti një refuzim të kompromisit.
“Nxjerr në pah të vërtetën e fshehur për një vit e gjysmë, që Partia Demokratike nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë, apo të huajt, nëpër këmbë. Sepse i druhet pikërisht paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurive, vendimmarrjeve dhe aftësive të gjykatësve e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri e theksoi më shumë se çdo herë tjetër bindjen e tij se opozita nuk e do reformën në drejtësi.
“Refuzimi i sotëm është një provë, më ulëritësja, se PD është gati ta sakrifikojë popullin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë për të mbrojtur të akuzuarit e vetë nga një drejtësi e reformuar dhe e gatshme të përballet me kancerin e korrupsionit në nivelet më të larta”, theksoi Rama.
Por si asnjëherë më parë, me shpresën se shpresa vdes e fundit, kryeministri i bëri një thirrje për lidership Lulzim Bashës.
“Ka akoma shpresë që në PD nuk ka vdekur çdo frymë arsyetimi. Unë i bëj thirrje publikisht Lulzim Bashës që të mos udhëhiqet nga frika, por ta udhëheqë Partinë Demokratike drejt interesit të madh kombëtar. Unë e ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri, të flasim si dy shqiptarë që sot janë në krye të partive, por nesër do të jenë njësoj si 4.4 milionë shqiptarë”, tha Rama.
Një thirrje të ngjashme për të treguar lidership për reformën në drejtësi i bëri të dielën Lulzim Bashës edhe ndihmes sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland.
Top Channel