“Me Italinë do e bëja 100 herë”/ Rama për marrëveshjen për emigrantët: Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarë të dojë Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi takimin ndërkombëtar të vendeve të “Kartës së Energjisë” që u mbajt në Tiranë për të dhënë një mesazh mbi ngërçin që mban pezull vënien në funksion të autostradës energjetike Shqipëri-Kosovë.
Linja u përurua në datën 28 qershor, por nuk operon për sa kohë ndarja e sistemit të transmetimit të Kosovës nga ai i Serbisë nuk është njohur ende nga Rrjeti Europian i Transmetimit. Kjo është një nga pikat e marrëveshjes së dialogut mes qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, çështje që u përfshi edhe në axhendën e takimit të kryeministrave të Ballkanit, në Paris.
“Gjatë takimit tonë në Paris me homologun tonë serb kemi bërë progres në këtë këndvështrim dhe kam shumë shpresë që brenda këtij viti gjithçka do të jetë zgjidhur”, tha Rama.
Ky investim do të pasohet vitin që vjen me nisjen e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë. Por, ministri Gjiknuri shprehu ambicien e Shqipërisë për t’u shndërruar në aktor të rëndësishëm, jo vetëm në rajon: “Synimi ynë është shfrytëzimi i pozicionit të rëndësishëm strategjik gjeografik që ka vendi për ta transformuar sistemin tonë në një qendër të tranzitimit të energjisë drejt lindjes dhe veriut në Europë”.
Për këtë nevojitet siguria e investimeve. Dhe në këtë pikë nuk mungoi as në këtë takim referimi tek reforma në drejtësi.
Dewi Van de Weerd, ambasadore e Holandës në Tiranë, theksoi: “Është një reformë thelbësore sepse do të krijojë një klimë të qëndrueshme investimesh, përfshirë ato energjetike do të jenë të sigurta sepse nëse do të kenë probleme do të shkojnë në gjykatë dhe kjo do të zgjidhet në mënyrën e duhur, jam shumë e bindur, kur të votohet reforma në drejtësi”.
Top Channel