Sulmi në Bagdad, shkon në mbi 165 numri i viktimave. Shpallen 3 ditë zie

04/07/2016 00:00

Qeveria irakiane shpalli 3 ditë zie kombëtare pas sulmit me bombë në kryeqytetin Bagdat, ku u vranë të paktën 165 persona e u plagosën 225 të tjerë. Një kamion frigorifer i mbushur me eksplozivë u hodh në erë në qarkun e Karradas, ku njerëzit po bënin blerje me rastin e mbylljes së muajit të Ramazanit.

Pamje nga vendi i ngjarjes treguan sesi e gjithë zona ishte përfshirë nga flakët. Sipas grupeve të shpëtimit, familje të tëra ishin shfarosur dhe shumë viktima ishin djegur në atë farë mase, sa identifikimi i tyre ishte i pamundur.

I ashtuquajturi Shtet Islamik mori përsipër autorësinë e sulmit, duke thënë në një deklaratë të shpërndarë “online” se, ai ishte kryer nga një shtetas irakian, si pjesë e operacioneve të vazhdueshme të sigurisë.

Kryeministri Haider al-Abadi vizitoi zonën e populluar kryesisht nga sunitë të dielën, por autokolona e tij u prit me zemërim nga turma. Më vonë, teksa shpalli 3 ditë zie, zyra e kryeministrit shtoi se Abadi e kuptonte reagimin e banorëve.

Bombardimi, që ndodhi rreth mesnatës së të shtunës, është më vdekjeprurësi që ka goditur Irakun në një vit dhe vjen një javë pasi forcat irakiane çliruan qytetin e Falluxhas nga ISIS. Operacionet e kërkimit e pastrimit të zonës po vazhdojnë ende dhe, sipas një pjesëtari të forcave të mbrojtjes civile, do të duhen disa ditë përpara se të rikuperohen të gjitha trupat e viktimave.

Pas shpërthimit të kamionit frigorifer në qendrën popullore të Al Hadit, një tjetër bombë shpërtheu në një tjetër zonë të banuar nga shiitë në veri të kryeqytetit, ku mbetën të vrarë 5 persona.

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se sulmi i fundit forcon edhe më shumë mbështetjen e tyre për forcat irakiane në luftën kundër ISIS. Mbrëmjen e së dielës, Abadi njoftoi rritjen e masave të sigurisë rreth vendit dhe kërkoi instalimin e një sistemi të avancuar për inspektimin e automjeteve në pikat hyrëse të Bagdatit dhe në rajone të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA