Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se vota britanike për t’u larguar nga BE-ja ngre shqetësime afatgjata për rritjen ekonomike globale. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Brexit mund të ngrijë mundësitë e investimit në Britaninë e Madhe apo në të gjithë Evropën.
Obama gjithashtu i bëri thirrje kryeministrit britanik dhe liderëve të BE-së që të organizojnë dhe implementojnë një proces të ekuilibruar për largimin britanik në union. Obama i bëri komentet e tij gjatë një samiti në Kanada, ku tha se përgatitjet e kryera nga bankat qendrore dhe ministrat e financave tregojnë se në planin afatshkurtër, ekonomia globale do të jetë e stabilizuar, por është në planin afatgjatë që ka dyshime.
“Unë mendoj se ka shqetësime serioze për rritjen globale në planin afatgjatë, pasi Brexit të finalizohet, dhe sjell ngrirjen e investimeve në Britani dhe Evropë. Ritmi i rritjes ekonomike globale është që tani i dobët dhe situata e krijuar në Evropë nuk ndihmon aspak”, deklaroi Obama.
Në një mesazh për Britaninë dhe Evropën, Obama tha se të gjithë duhet të tregohen gjakftohtë e të qetë. Procesi i daljes, theksoi Obama, do të jetë i vështirë dhe sfidues, por nuk ka asnjë arsye pse të ketë panik.
Top Channel