Të enjten në Ferizaj është zhvilluar seanca e fundit shqyrtuese në gjykimin e hoxhës Zeqirja Qazimit, i njohur edhe si mësuesi i Lavdrim Muhaxherit dhe Ridvan Haqifit, udhëheqësve të shqiptarëve të Kosovës në ISIS.
Imami i xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, Qazimi dyshohet se ka rekrutuar xhihadistë për grupet terroriste ISIS dhe Al-Nusra dhe njihet si një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit përmes ligjëratave të tij publike.
Ligjëratat e publikuara të imamit të dyshuar janë cilësuar si ftesë për t’iu bashkuar xhihadistëve. Ndërsa në seancën e fundit shqyrtuese, mbrojtja ka kërkuar interpretimin e fjalëve “xhihadist” dhe “shehid” nga një ekspert teologjie, të cilin e ka dërguar Bashkësia Islame e Kosovës.
“Në një nga përkufizimet terminologjike islame, ‘xhihad’ nënkupton përpjekjen, angazhimin, mundin që bën dikush nga myslimanët, në të gjitha format e mundshme, përfshirë arsimimin, edukimin, luftën legjitime dhe forma të tjera”, tha Ilmi Rexhepi, ekspert i teologjisë.
Sipas prokurorisë, Qazimi dyshohet si njeriu kryesor që mbante lidhje, mes disa prej 57 të dyshuarve për terrorizëm dhe grupeve terroriste.
Në seancën paraprake, Zeqirja Qazimi ka pranuar gjatë dëshmisë së tij njohjen me Lavdrim Muhaxherin. Imami Qazimi është arrestuar në gusht të vitit 2014, ndërsa në grup janë edhe ish-xhihadisti Sadat Topojani, Ilir Berisha, e të tjerë, për të cilët vendimi përfundimtar do të merret më 17 maj.
Top Channel