Padia e Beqajt, gjykata shpall të pafajshëm Lulzim Bashën

24/06/2016 12:35

Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili akuzohej nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj për fyerje dhe shpifje.

Sipas gjyqtarit Lazër Sallaku, deklarata e kreut të Partisë Demokratike e bërë në nëntorin e vitit te kaluar, se Ilir Beqaj ka përvetësuar 30 milionë euro me koncesionet, nuk kishte elemente të veprave penale të shpifjes dhe fyerjes, por është në kuadër të të bërit politikë.

Të njëjtin qëndrim para këtij vendimi mbajti edhe Prokuroria si palë e tretë në këtë proces, e cila nuk e konsideroi të dënueshme penalisht deklaratën e Bashës kundër ministrit Beqaj.

Ky i fundit e cilësoi këtë vendim si një absurditet, të cilin e priste, por që i shërben keq shoqërisë.

“Sot, praktikisht Prokuroria dhe Gjykata bashkë konfirmojnë që ata që merren me politikë, për nevoja të politikës mund të shpifin, u legjitimohet të shpifin. Por, gjëja më e rëndë që u vendos sot me këtë vendim gjykate është se kjo qënka e shëndetshme për publikun”, u shpreh ministri Beqaj.

Beqaj dhe avokati i tij pritet ta ankimojnë vendimin brenda 10 ditëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA