Sulmet amerikane ndaj anijeve të drogës, Presidenti kolumbian tregon zonën me të mbijetuar
Boris Johnson nuk humbet kohë. Pak pasi David Cameron deklaroi dorëheqjen pas rezultatit të referendumit popullor që vendosi daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, ish-kryebashkiaku i Londrës shpalosi ambicien për t’u bërë kryeministër i vendit.
Fjala e Johnson nisi me falenderimin e bërë për rivalin e tij të hershëm brenda konservatorëve që e pati përballë edhe në referendum.
“Dua ta nis duke falenderuar David Cameron. Më vjen keq që vendosi të dorëhiqej, por e respektoj vendimin e tij. David Cameron që kam njohur unë është një njeri i aftë, parimor dhe politikani më i jashtëzakonshëm i brezit tonë”, tha Johnson.
Menjëherë pas kësaj, kandidati më potencial si kryeministër i Britanisë jashtë BE-së pas 7 dekadash në Union, u përqendrua tek programi.
“Së pari duhet të largojmë dhe të zgjedhim njerëzit e duhur që marrin vendime dhe mendoj se elektorati e bëri zgjedhjen e vet dhe u përgjigj me ndershmëri. Ata vendosën për të rimarrë kontrollin e vendit tonë”, u shpreh ai.
Rinia, që votoi përgjithësisht kundër daljes, pati vëmendjen e saj në fjalën e ish-kryebashkiakut të Londrës.
“U drejtohem miliona votuesve që votuan kundër daljes, veçanërisht të rinjve, që mendojnë se ky vendim mund t’i izolojë. E kundërta është e vërtetë. Nuk do t’i kthejmë shpinën Europës, jemi pjesë e Europës dhe fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë i pret një e ardhme e ndritur si europianë”, shtoi Johnson.
Me votën anti-BE në Britani janë shtuar zërat e përçarjes, që më të fortë dëgjohen nga Skocia dhe Irlanda e Veriut. Kjo nuk e trembe Johnson.
“Kjo nuk do të thotë që Britania e Madhe do të jetë më pak e bashkuar apo më pak europiane”, deklaroi ai.
Top Channel