FIFA, panel emergjent për të drejtuar Federatën e Argjentinës

24/06/2016 00:00

FIFA ka vendosur të marrë nën kontroll “frerët” e Federatës argjentinase të Futbollit, kjo për shkak se lidershipi aktual i kësaj federate është akuzuar zyrtarisht për mashtrim me të drejtat televizive.

Vetëm dy ditë përpara sesa kombëtarja e udhëhequr nga Lionel Messi të luajë në finalen e Kupës së Amerikës në edicionin e saj special të 100-vjetorit, edhe këtë herë kundër Kilit si vitin e kaluar, FIFA njoftoi gjithashtu edhe vendimin për të krijuar një panel emergjent që do të menaxhojë këtë federatë.

Ndeshja finale do të luhet në East Rutherford të Nju Xhersit, ndërsa të enjten presidenti i Federatës argjentinase, Luis Segura, i cili është edhe anëtar i këshillit ekzekutiv të FIFA-s, u akuzua.

E udhëhequr prej Julio Grondonës që prej vitit 1970, federata ka qenë në periudhë trazirash që pasi ai ndërroi jetë në vitin 2014, teksa mbante edhe pozicionin e zv.presidentit të FIFA-s.

Organizmi më i madh i futbollit botëror tha se komiteti i ashtuquajtur “i normalizimit” të situatës, që do të përbëhet nga 7 anëtarë, “do të jetë në krye të drejtimit të gjërave të përditshme” të Federatës argjentinase të Futbollit.

Ndërkohë, zgjedhjet për kreun e ri të këtij institucioni mund të organizohen deri në korrik të vitit 2017.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB