SHBA, Gjykata Supreme “lë në baltë” planin “Obama” për emigracionin

23/06/2016 00:00

Gjykata Supreme në SHBA është e ndarë për planin e Presidentit Barack Obama për të mbrojtur miliona emigrantë pa dokumente që jetojnë ilegalisht në SHBA.

Ndarja e Gjykatës Supreme është një goditje e fortë ndaj urdhrit ekzekutiv të Obamës të vitit 2014, me të cilin presidenti shmangu Kongresin për të mbrojtur emigrantët nga deportimi.

Plani i Obamës u kundërshtua në Gjykatën Supreme nga Teksasi, i cili udhëhoqi 26 shtetet republikane me kërkesën për të ndaluar vendimin e presidentit. Tetë gjyqtarët e Gjykatës Supreme u ndanë 4 me 4 në këtë çështje dhe, praktikisht, kjo do të thotë se plani i Obamës është ende i pezulluar dhe nuk mund të hyjë në fuqi.

Gjykata Supreme nuk preku vendimin e një gjykate të shkallës më të ulët, tek e cila do të kthehet sërish çështja. Që nga vdekja e gjyqtarit Antonin Scalia në vitin 2015, Gjykata Supreme amerikane ka 8 anëtarë, ndaj dhe u bë i mundur një barazim votash. Kjo është hera e parë, që gjykata e lartë del me një barazim në një vendim, ndërsa Senati vazhdon të bllokojë emërimin e gjykatësit Merrick Garland, i propozuar nga Obama.

Analistët shkruajnë tashmë se, vendimi për planin e Obamës do t’i kthehet një gjykatësi konservator në Teksas dhe e ardhmja e tij duket e paracaktuar. Nëse gjykata e lartë nuk merr anëtarin e saj të 9, plani zor se do të vihet në zbatim gjatë Presidencës “Obama” dhe duket se do t’i takojë presidentit të ri të zgjedhë gjykatësin dhe të përcaktojë politikën amerikane për emigracionin.

Meqë votuesit amerikanë do të zgjedhin mes Hillary Clintonit dhe Donald Trumpit, është në diskutim qëndrimi i SHBA-ve ndaj brezave të ardhshëm të emigrantëve, sikur zgjedhjet e radhës presidenciale në SHBA të mos kishin çështje të tjera të rëndësishme për të vendosur.

Top Channel