Pas dy ditësh pritjeje kombëtarja e Shqipërisë u eliminua në fazën e grupeve të Euro2016. Tek shumë prej nesh është ende shija e hidhur e këtyre 48 orëve, kur ndeshje pas ndeshjeje, dhe siç ndodhi në Hungari-Portugali, edhe gol pas goli, pamë sesi u venit shpresa jonë për kualifikim.
Sot janë shumë ata që ndjejnë keqardhje përse Gashi nuk shënoi atë gol të pastër me Zvicrën, apo përse pësuam një gol të panevojshëm me Francën në minutën e 96’. Ndoshta vërtet gjerat mund të kishin shkuar edhe më mirë dhe dikush mund të thotë se formula e vendeve të treta për Shqipërinë, rezultoi e padrejtë.
Për shqiptarët, padrejtësia nuk është një gjë e re. Por ky kampionat europian ishte gjithçka, por jo dështim për Shqipërinë. Gjatë këtyre tetë ditëve, Europa skeptike dhe pjesërisht ksenofobe pa Shqipërinë tjetër, dhe jo atë që jo rrallë mediat e saj transmetojnë çdo ditë.
E pa atë në fushën e blertë ku kuqezinjtë shkëlqyen me talentin dhe zemrën e tyre, përballë Zvicrës së fortë dhe Francës së superyjeve. E panë atë edhe jashtë fushës, në shkallët e stadiumeve dhe sheshet e qyteteve të Parisit, Lensit, Marsejës e Lionit, ku dhjetëra mijëra shqiptarë e kthyen këtë kampionat në një festë të vërtetë.
Përballë huliganëve të vjetër angleze e të rinj ruse, ukrainas, polakë e hungarezë, shqiptarët e bukur ne shpirt dhe ne pamje, i treguan europës anët e tyre më të mira, i treguan asaj anët tona europiane.
Askush me bukur se kjo video popullore ne rrjetet sociale dhe që shoqëron këto fjalë, tregon revolucionin e madh të shqiptarëve. Larg duken ditët e eksodeve biblike nëpër anije e ambasada, larg duken kohët e dhunshme të 1997-es, edhe më larg ato të genocidit serb në Kosovë.
Gjithçka falë këtyre djemve që e çuan Shqipërinë në Europë, edhe kundër dëshirës së saj, por edhe falë mbështetësve të tyre, kudo. Sepse suksesi nuk ishte i Shqipërisë, por e gjithë shqiptarëve.
Në këtë europian fitoi shqiptaria.
Top Channel