Hapi i tretë për “drejtësinë”; Ruçi letër Metës: Drafti në kalendar. PD: Shpallje lufte

21/06/2016 00:00

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i është drejtuar zyrtarisht me anë të një letre kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për hapat e mëtejshëm procedurale të miratimit të Reformës në Drejtësi.

Ruçi i kërkon konferencës së kryetarëve që të njoftojë Kuvendin që këtë të enjte për projektligjet që Komisionin i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi ka hartuar, me qëllim shqyrtimin e tyre gjatë muajit korrik.

Po ashtu kreu i grupit parlamentar socialist, kërkon që të përfshihen në kalendarin e Kuvendit dhe shqyrtimi dhe miratimi i projekt-amendamenteve kushtetuese, së bashku me 7 projektligjet përkatëse.

Por për Partinë Demokratike kërkesa për të futur në kalendarin e Kuvendit projektin për kapjen politike të gjyqësorit është një provokim i rëndë ndaj opozitës, parlamentarizmit dhe qytetarëve shqiptarë, që sipas Edi Palokës, nuk mund ta konceptojnë kurrë reformën e domosdoshme në drejtësi si një dorëzim peshqesh të drejtësisë tek Edi Rama.

Opozita rithekson se rruga e vetme për miratimin e Reformës në Drejtësi është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias.

“Çdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës, parlamentit dhe aspiratës popullore për drejtësi të pavarur. Dhe fundi i kësaj betejë padyshim nuk do të jetë fitorja, por shkrumbimi i oligarkisë kriminale dhe të korruptuar të Edi Ramës”, thotë Paloka.

Ndërkohë ambasadori amerikan Donald Lu vijon takimet dhe përpjekjet me aktoret kyç për miratimin e Reformës në Drejtësi. Ai u takua të martën në mesditë sërish me kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA