Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Nga 7.000 të dënuar në shërbim prove, të deklaruar si përfitues të amnistisë së vitit 2015, gati 3.000 prej tyre janë ende duke pritur të mbërrijë në zyrat e Shërbimit të Provës urdhri i pushimit të çështjes nga Prokuroria.
Kjo do të thotë se kjo kategori të dënuarish vijojnë të paraqiten para specialistëve, derisa në këto zyra të vijnë urdhërekzekutimet nga organi i akuzës.
Gjatë një interviste për Top Channel, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa shpjegoi se prej ligjit të amnistisë kanë kaluar 6 muaj, ndërsa procesi konsiderohet i ndërlikuar për shkak të identifikimit të kësaj kategorie të dënuarish që llogariten si përfitues.
Por sipas ligjit, Shërbimi i Provës nuk është institucioni që ka kompetencat për ta deklaruar të mbyllur përfitimin nga ligji i amnistisë, duke qenë se këto janë të drejta të Prokurorisë.
“Për fat të keq mbetet ende e lartë shifra, jemi diku te 44 për qind të totalit, të korrespondencës së përcjellë nga ana e shërbimit të provës të identifikimit apo evidentimit të të gjithë përfituesve potencialë nga amnistia. Që të konsiderohet procesi i përfunduar, duhet që të kemi edhe aktin përfundimtar nga ana e organit të Prokurorisë, që është e ngarkuar me ligj për ekzekutimin e vendimeve penale”, tha më tej Ilir Qafa.
Prokuroria, nga ana e saj deklaron se për këtë vonesë ka ndikuar mbingarkesa.
Top Channel