“Bashkia si kombëtarja”, Rama e Veliaj vizitojnë kantierin e bulevardit të ri

20/06/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inspektuan këtë të hënë punimet për ndërtimin e bulevardit të ri dhe parkingut të parë nëntokësor.

“Ky bulevard do jetë një tjetër vlerë e shtuar dhe një standard i ri në hapësirën tonë urbane. Pse jo, do jetë dhe vendi ku do bëhet fan zona e finaleve të ardhshme të Europianit, që natyrisht nuk do të kenë shijen e këtyre ndeshjeve të para historike”, deklaroi Rama.

Tirana do të ketë një tjetër park qëndror më të madh se parku “Rinia”, ndërkohë që parkingu nëntokësor me 306 vende do të lehtësojë parkimin përgjatë bulevardit “Zogu I”.

“Parku qendror do të jetë 6 herë sa parku “Rinia”. Projekti që kemi në sfond është parkimi i parë nëntokësor i Tiranës, premtimi ynë elektroal, që do të tregojë se është i mundur të kemi projekte të tilla në kryeqytet. 306 makina që sot bllokojnë bulevardin “Zogu I” dhe stacionin e trenit do të shkojnë nën tokë. I menaxhuar nga Bashkia e Tiranës, ky projekt i hap rrugë parkingjeve të tjera nëntokësore”, tha nga ana tjetër Veliaj.

Bulevardi i ri ka një gjatësi prej 1.600 metra dhe 6 korsi makinash. Deri më tani ka përfunduar puna në 1/3 e projektit. Parkingu nëntokësor pritet të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa bulevardi i ri brenda vitit tjetër.

Top Channel