Sokol Balla – Të premten në “Allianz Riviera” të Nicës, pashë se çfarë do të thotë të të marrë turma poshtë. Ndeshja pati një hero, Iniestën dhe një anti-hero, Arda Turan. Të dy pjesëtarë të një ekipi, Barcelonës. Ndryshimi? Iniesta i duartrokitur nga të gjithë, Turan i tallur nga të gjithë. Sa herë ai prekte topin ulërimat shoqëronin tribunën veriore të stadiumit. Kjo ishte arsyeja pse Turqia të premten mbrëma luajti në fakt me dhjetë lojtarë. Arda Turan thjesht ishte një fantazëm. Jam i sigurt që këto do jenë ndeshjet e tij të fundit me Turqinë, ku me siguri ai do mendohet mirë nëse do të dojë të kthehet.
Turqit janë pasionantë me futbollin por nuk i falin tradhtitë. E provoi këtë më shumë se të gjithë Mesut Ozil i cili zgjodhi Gjermaninë. Me koston që nuk shkon dot në Turqi dhe nuk luan dot përballë ish-bashkëkombasve të vet, në klub dhe me kombëtaren. Janë shumë lojtarë turq që ndajnë këtë fat. Por nuk janë të vetmit.
Prej tre ditësh media franceze merret me një gjest të turpshëm të Paul Pogba, gjatë ndeshjes me Shqipërinë në Marsejë. “Bras d’honeur” ose shenja e krahut që ai i drejtoi simbolikisht tribunës së medias me gjasë per shkak të kritikave të shumta drejtuar atij për përformancën shumë të dobët në këtë Europian. Të shtunën Dechamps tha se kishte biseduar me të, dhe i kishte besuar versionit të Pogba, i cili edhe në një deklaratë tha se “nuk do t’i drejtonte këtë shenjë tribunës ku ishte nëna dhe vëllai im”.
Askush nuk e beson ama përveç trajnerit të tij. Futbollistët vlerësohen si gladiatorët: ata edhe vdekjen duhet ta kenë dinjitoze. Në rastin e tyre të jenë kokëulur, sidomos përballë tifozëve. Sepse janë tifozët që u blejnë bluzat, janë ata që harxhojnë mijëra euro për t’u rënë nga prapa kur luajnë jashtë. Janë ata që ushqejnë makinerinë e parave që u siguron atyre rroga përrallore. Më kujtohet Stefan Effenberg. Mesfushori i talentuar gjerman në një moment tensioni iu kthye tifozëve të vet me një shenjë të caktuar. DFB gjermane e përjashtoi përjetësisht nga Mannschaft në një moshë relativisht të re dhe askush nuk mori vesh se çfarë u bë me të.
Kjo ka qënë e vërtetë edhe në futbollin e kohës së komunizmit. Kam qenë i vogël në stadium kur një futbollist që sot nuk jeton më, i Partizanit, një mbrojtës i shkëlqyer i Kombëtares ju kthye tifozëve të vet, të cilët në fakt po e shanin, me një gjest të turpshëm. U dënua menjëherë dhe nuk mbaj më mend që ta vishte më fanellën e kombëtares.
Pak muaj më parë një histori preku mbarë botën. Një fëmijë afgan me një qese me vija të bardha dhe blu dhe me emrin e shkruar me stilolaps: Messi. Vetë superlojtari u angazhua t’i çonte një bluzë personazhit që preku miliona vetë në rrjetet sociale. Futbollistët duhet të jenë një rol model për ndjekësit e tyre. Modelet e Balotelit, George Best apo Paul Gascoigne tashmë i përkasin historisë. Para modelit të rolit, edhe talenti nuk ka më rëndësi. Shikoni transformimin e Suarez. A thua ka ndryshuar si karakter? Jam i sigurt që do të hante veshët e dikujt sërish. Nëse do ta lejonin sponsorët, menaxherët dhe sigurisht opinioni publik.
Po kuqezinjtë a kanë antiheronjtë e tyre? Megjithëse sjellja e Taulant Xhakës në ndeshjen e parë dhe performanca e tij në të dytën, lënë për të dëshiruar mendoj se jemi ende larg për fat, pasjes së një anti-heroi. Përkundrazi, sulmuesi yne kryesor Sadiku, i përjashtuar dikur nga Superliga shqiptare për sjellje të keqe, është rikthyer tashmë i reformuar, nga “bad boy” në “golden boy” të Kuqezinjve.
Sigurisht ne kemi edhe një superhero që është Lorik Cana, dhe një hero të heshtur si Mërgim Mavraj, të cilët përveç talentit, reflektojnë në fushë dhe jashtë saj, dinjitet, integritet dhe përulësi. Tani që futbolli ynë është ngjitur në këto maja të larta të futbollit botëror, ndoshta është koha që Federata dhe të gjithë ne, të investohemi në promovimin edhe të këtyre vlerave.
E para që do përfitonte është Superliga shqiptare, arena e futbollit vendas, ku megjithëse janë ulur në numër, numrat e antiheronjve nuk mungojnë. Por më e rëndësishmja është që brezit të ri të fëmijëve të mos u ofrojmë bluza të Messit. Tashmë kemi bluzat e kombëtares, me emrat në kurriz të heronjve tanë.
Dhe kjo është fitorja më e madhe e kësaj aventure europiane të futbollit shqiptar. Edhe nëse të dielën na mund Rumania.
Top Channel