Të paktën 36 persona u arrestuan në qytetin francez të Lilës në një tjetër ditë përleshjesh mes policisë dhe tifozëve. Policia franceze tha se arrestimet u bënë përgjatë orëve të vona të së mërkurës dhe se 16 persona janë shtruar në spital me plagë të ndryshme.
Të mërkurën në mbrëmje, policia franceze u përball me qindra tifozë anglezë që ndezën fishekzjarre në rrugët e Lilës. Mediat britanike bëjnë me dije se policia përdori gazin lotsjellës kundër tifozëve, të cilët ishin kryesisht anglezë. Më herët, tifozë të Anglisë dhe Rusisë u ndaluan nga policia pas përleshjeve mes tyre.
Por errësira e natës solli një përshkallëzim të përballjeve me policinë, duke dëmtuar rëndë imazhin e kampionatit. Gjatë ditës ishte ngritur shqetësimi për një përballje mes anglezëve dhe huliganëve rusë, por përleshjet me policinë ishin kryesisht një problem anglez.
Tashmë, pritet reagimi i UEFA-s, e cila kishte kërcënuar me përjashtimin e Anglisë nga kampionati nëse tifozët e saj shkaktonin sërish probleme. Gjithsesi, UEFA merr masa kur trazirat ndodhin në stadiume, pasi vetëm ai është juridiksioni i saj. Për këtë arsye, sytë janë përqendruar tek ndeshja mes Uellsit dhe Anglisë, që luhet sot në orën 15:00.
Top Channel