Sokol Balla – Me Francën si me shumë skuadra të mëdha, nuk i kemi punët mirë kur vjen puna te shifrat. Ndonëse në dy miqësoret e detyruara me vendin mikpritës të Euro 2016 kemi marrë 4 pikë dhe kemi shënuar dy herë (përfshirë edhe një eurogol nga Kaçe në “Elbasan Arena” gati fiks një vit më parë në 13 qershor 2015), në total “gjelat” kanë një golavarazh +10 ndaj kuqezinjve. 13 gola të shënuar përballë 3 tanëve. Vetëm njëri ama është zyrtar. Erion Bogdani, sot drejtues i skuadrës, është i vetmi që i ka shënuar Francës vite më parë.
Franca është ndeshur me ne vetëm për kualifikueset e Europianit dhe asnjëherë botërorit, katër herë. Fitorja më e thellë në “Parc de Princes”, 5 me zero për Euro 1992. Në “Parc de Princes” ku nisi karrierën në PSG në ekipet zinxhir Lorik Cana, i cili sot jeton në afërsi të Marsejës, që sot së bashku me Lenjanin, dikur i Rennes, luan në skuadrën e Nantes.
Në Marsejë, Franca nuk është mundur asnjëherë në 4 ndeshjet e fundit rresht që ka luajtur aty, por që nga viti i largët 1998 kur mundte Afrikën e Jugut në ndeshjen e hapjes në grupe për Botërorin e atij viti, asnjëherë nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare ne Velodrome. Por, ama në 1984, këtu mundi Portugalinë për të arritur finalen e europianit, që e fitoi. Edhe atëherë në fushë të vet. Ashtu si edhe botërorin e 1998.
“Goldman Sachs” thotë se edhe kësaj radhe mundësitë më të mëdha për të fituar Europianin i ka Franca me 23,1 përqind, pasuar nga Gjermania me 19,9, Spanja 19.9 dhe Anglia me 10.5 perqind.
Por, shifrat janë shifra. Deri tani nga këto parashikime, të justifikuara i ka Gjermania, ndërsa Spanja dhe Franca vuajtën të marrin fitore me kundërshtare që kanë shanse thuajse sa Shqipëria për të fituar Europianin.
Meqë jemi te Shqipëria: “Goldman Sachs” thotë se ajo ka vetëm 7,6 përqind mundësi të kaloi grupin, të arrijë në gjysmë finale vetëm 1,8 përqind, ndërsa të dalë në finale (sipas Top Channel) duhet një mrekulli, ose e përkthyer në shifra 0,4 përqind. Studimi i jep 0 përqind mundësi Shqipërisë të fitojë Europianin dhe 0,1 përqind Uellsit. Por, ndërkohë, Uellsi ka fituar ndeshjen e parë dhe pret i qetë Anglezët nesër në Lens, në një derby “breton”. Ekipi më i rrezikshëm pas Gjermanisë është shfaqur Italia, e megjithatë “Goldman Sachs” as nuk e kishte hiç ndër favoritët për titull. Ah “Goldman Sachs”, një nga bashkëfajtorët e krizës ekonomike amerikane, sepse në analizat e saj kishte ngatërruar shifrat…
I ngatërroi edhe në botëror para dy vjetësh kur nxirrte fitues Brazilin e 48 përqind. Po pastaj e dimë si përfundoi Brazili, 1 me 7 me Gjermaninë më pas kampione e Botës.
Dhe në fund: parashikimi nuk i doli i plotë as Canës. Para shortit pati shprehur dëshirën që Shqipëria të zhvillonte ndeshjen e parë me Francën dhe në Marsejë. Shorti nxori Shqipërinë përballë Francës. Ndeshja do ishte në Marsejë por do ishte ndeshja e dytë. Cana si për një lojë të poshtër të fatit, mungoi për pak në parashikimin e tij dhe do të mungojë kështu edhe në ndeshje. Kështu i ka ecur atij fati gjithmonë në Francë. Me PSG përfundoi i dyti në kampionat në 2004, po ashtu i dyti dy herë me Marseille, si dhe humbi dy here në finalen e Kupës katër vjet që luajti me të.
Pastaj i lodhur iku prej saj, pikërisht kur në stol erdhi Didier Dechamps, i cili më pas me Marseille fitoi gjithçka.
Por me nuk ka fituar akoma. Përkundrazi. Ka lënë katër pikë.
E di, janë vetëm shifra. Dhe për ne nuk kanë shumë rëndësi. Shifrat lidhen me trurin. Ne sot do luajmë me zemër.
Top Channel