
Deputetët demokratë kanë kritikuar sërish qeverinë për rritje të varfërisë, shtim të papunësisë, dhe një betejë të dobët me korrupsionin. “Shqipëria nuk ka rilindur”, tha Jozefina Topalli.
“Shqipëria nuk është ajo që tregon qeveria, nuk ka rilindur, nuk është në drejtimin e duhur, nuk është Shqipëria që ne duam. Rilindja është mashtrimi apo injorimi i gravitetit të kuadrit politik dhe ekonomik ku dergjet sot vendi”,tha zn. Topalli.
Duke iu përgjigjur referimeve të ministrit të Financave, ka deklaruar se raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë të kundërtën e atyre që deklaron ai për ekonominë shqiptare.
“DASH, Banka Botërore dhe shumë raporte të tjera tregojnë të kundërtën e atyre që thotë kjo qeveri”, ka thënë Topalli. Sipas saj, korrupsioni ka kapur të gjitha degët e kësaj qeverie dhe ka bërë që vetëm në 1 vit të largohen nga vendi 100 mijë shqiptarë.
“Raporti i Bankës Botërore thotë se 46 për qind e qytetarëve jetojnë me 5 dollarë në ditë. Papunësia është rritur në mënyrë progresive, prandaj shqiptarët ikin. 2.8 milionë kemi mbetur këtu. Kjo ndodh vetëm për një arsye, korrupsioni. Është babëzia”, ka thënë Topalli, e cila ka cituar raportin e KLSH për 1 miliard dollarë dëme të shkaktuara shtetit.
“Nga ana tjetër kemi Koçon dhe konçesionet që merr ai. Korrupsioni vjen si pasojë e kulturës mjerane, se po erdhe në pushtet vjen për të pasuruar veten”, ka thënë më tej Topalli, e cila ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Rama në SHBA.
“Kryeministri ynë flet për zgjedhjet e një vendi tjetër, në një kohë kur vendi i tij është i zhytur në korrupsion”, ka shtuar Topalli.
Top Channel