
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka thënë se zvarritja e formimit të ushtrisë së Kosovës po bëhet me qëllim që ndryshimet kushtetuese të paraqiten si të domosdoshme, dhe në këtë mënyrë të bëhen koncesione të reja me Serbinë. Osmani, e cila ditë më parë në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Lista Serbe nuk mund ta bllokojë formimin e ushtrisë, në një intervistë për “lajmi.net” ka sqaruar ndryshimet e nevojshme ligjore që duhen bërë që Kosova të ketë një ushtri me kapacitete të plota veprimi dhe të gatshme për anëtarësim në partneritet për paqe.
Sa i përket emrit të ushtrisë e cila përcaktohet me Kushtetutë, Osmani ka thënë se kjo gjë duhet të përcaktohet kur të jetë momenti më i volitshëm. Ajo ka thënë se një ushtri nuk e bënë emri, por e bëjnë kompetencat, funksioni, misioni, armatimi dhe elemente të tjera.
Osmani ka thënë se Kosova duhet ta formojë sa më shpejtë ushtrinë dhe se nuk e ka komoditetin që ta vonojë një gjë të tillë.
“Deri tani i është dhënë tepër rëndësi ndryshimit të Kushtetutës, mirëpo Kushtetuta, saktësisht neni 126, parasheh vetëm emrin (pra Forca e Sigurisë së Kosovës), ndërkaq të gjitha çështjet e tjera janë lënë që të rregullohen me ligj. Një ushtri nuk e bën emri, por e bëjnë kompetencat, funksioni, misioni, armatimi, dhe elemente të tjera, që të gjitha të rregulluara me ligje përkatëse të cilat ne mund t’i ndryshojmë me shumicë të thjeshte, pa bllokadën e pakicës serbe. Natyrisht që e vetmja gjë që do të mbetej e pandryshuar, deri në momentin kur do të pajtoheshin serbët, do të ishte emri”.
Sipas saj, Kushtetuta kërkon ndryshimin nëpërmjet votimit të dyfishtë me 2/3-tat, mirëpo për ta shndërruar FSK-në në ushtri në gjithçka përpos emrit, mund bëhet duke ndryshuar të gjitha ligjet që përcaktojnë misionin, kapacitetet, armatimin dhe të gjitha çështjet e tjera që në praktikë e bëjnë një ushtri.
“Për të ndryshuar emrin, duhet të ndryshohet neni 126 i Kushtetutës, dhe për këtë kërkohet shumica e dyfishtë me 2/3. Kurdo që krijohen rrethanat për një ndryshim të tillë, duhet të merret parasysh edhe emri kushtetues i Republikës sonë, që do të thotë se emri i ushtrisë do të duhej të jetë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK)”, ka thënë ndër të tjera Osmani.
Ajo ka komentuar edhe një deklaratë të saj ku ka thënë se “ushtrinë mund të bëjmë brenda ditës”.
“Ndryshimet e nevojshme në ligjet për FSK-në që përcaktojnë misionin, armatimin, kapacitetet, numrin, etj, tashmë janë të gatshme. Pra krejt çka duhet është që ato të votohen. Mendoj që zvarritjet po ndodhin në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të paraqiten kinse të domosdoshme (e që për një ushtri në sensin praktik, ato nuk janë, siç e thashë më herët), dhe duke i paraqitur si të domosdoshme të bëhen koncesione të reja në raport me serbët duke u dhënë të drejta shtesë në shkëmbim të votës së tyre për ndryshim të kushtetutës”.
Top Channel