Ministrat britanikë që lobojnë pro daljes nga Bashkimi Europian kanë deklaruar përmes një letre se, destinatarët e fondeve të BE-së do t’i marrin sërish paratë nëse Mbretëria vendosë të dalë nga Unioni.
Fondet e BE-së përfshijnë fusha si bujqësia, shkenca dhe kultura dhe sipas ministrave do të vazhdojnë të lëshohen deri në vitin 2020.
Ata pretendojnë se pagesat mund të bëhen edhe në mënyrë më efikase, por lobuesit e qëndrimit në BE deklarojnë se votimi pro Brexit do të “tkurrë ekonominë e Britanisë” dhe do të shkaktojë reduktim të shpenzimeve publike.
Korrespondenti politik i BBC, Ben Wright thotë se letra e atyre që mbështesin largimin, e firmosur edhe nga ish-kryetari i Bashkisë së Londrës Boris Johnson dhe ministrat Michael Gove e Priti Patel, duket më tepër si një “lutje e një qeverie në pritje”.
“Mbështetësit e Brexit nuk kanë asnjë kompetencë për të bërë premtime për shpenzimet publike, por po përpiqen të sigurojnë destinatarët e parave të BE-së se fondet e tyre do të jenë të sigurta”, ka deklaruar Wright.
Mbretëria e Bashkuar do të shkojë në votim për qëndrimin ose daljen nga BE më 23 qershor. Letra e ministrave thotë se, si një vend anëtar i Unionit, Britania ka besueshmëri për miliarda paund në fonde rimbursimi për bizneset e mëdha dhe se kursimet mund të realizohen duke taksuar kompanitë offshore.
Top Channel