
Në diskutimin e propozimeve të opozitës për ligjin e dekriminalizimit, ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ermonela Felaj shprehet se PD ka frikë zbatimin e dekriminalizimit.
Znj. Felaj tha se propozimet e bëra nga PD janë ekzistente në ligj. Duke iu përgjigjur akzuave të opozitës, Felaj tha se është kjo e fundit që ka eksponentë të tillë.
“Shumica nuk po e pengon dekrimnalizimin. Ne në fakt nuk kemi asnjë brerje ndërgjegje për këtë ligj, në ndryshim nga ju që keni një ish anëtar kabineti në burg, një kryetar bashkie të dënuar me burg, për shkak të zullumeve që kanë bërë në nivele drejtuese. Shëtisni lirshëm me pistoleta brezit dhe në debatin më të vogël verbal sheh qartësisht potenciale që nuk i dallon asgjë nga kriminelët e vërtetë, ata që vrasin, shfaqen edhe të dehur. Sikur të mos ishte garda këtu, me siguri që të gjithë këta individë dyfytyrësh do i kishte nxjerrë zbuluar”, tha znj. Felaj.
Topalli: Shqipëria nuk ka rilindur
Deputetët demokratë kanë kritikuar sërish qeverinë për rritje të varfërisë, shtim të papunësisë, dhe një betejë të dobët me korrupsionin. “Shqipëria nuk ka rilindur”, tha Jozefina Topalli.
“Shqipëria nuk është ajo që tregon qeveria, nuk ka rilindur, nuk është në drejtimin e duhur, nuk është Shqipëria që ne duam. Rilindja është mashtrimi apo injorimi i gravitetit të kuadrit politik dhe ekonomik ku dergjet sot vendi”,tha zn. Topalli.
Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Genc Pollo e ka quajtur të padrejtë vendimin e Byrosë për deputetët demokratë. “Deputetët e opozitës reaguan ndaj ofendimeve”, tha Pollo.
Majko: Opozita po përdor metodën e dr. Adham’ Utit. Bode: Qeveria shet dështimet si suksese
Deputeti socialist Pandeli Majko deklaroi në Kuvend se maxhoranca nuk i shmanget komisioneve hetimore, por se opozita po përdor metodën e doktor Adham’ Utit, “s’të funksionon marrëdhënia me maxhorancn, preje të funksionojë vetë”.
“Sot që flasim rastet e mosfunksionimit për arsye të mungesës së maxhorancës janë të limituara. Oferta që ju bëni do të ndryshojë në mënyrë parimore mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe hapet precedenti i një keq funksionimi që komisionet të rëndomta parlamentare të diskutojnë nëse mund të funksionojë në bazën e pakicave”, tha Majko.
Ai kritikoi opozitën se nuk ka ushtruar në tre vjet të drejtën e interpelancës dhe pyetjeve të ministrave, ndërsa u kërkoi edhe konsesusin për miratimin e reformës në drejtësi.
Ndërsa më herët, ish ministri i Financave, Ritvan Bode tha se qeveria i shet dështimet e saj si sukses. “Ka tre vjet që nuk hapen negociatat megjithatë ne flasim këtu për suksese të mëdha dhe arritjet e kësaj qeverie, nëse do të ishte kështu negociatat do të ishin hapur me kohë. BB përmes “Doing Business” deklaroi se Shqipëria zbret 35 vende në të bërit biznes. Qeveria e shet përsëri si një arritje të madhe”, tha Bode.
Balla: Rezoluta e PE, inkurajim për reformën në drejtësi
Miratimi i rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë inkurajon reformën në drejtësi, është shprehur në Kuvend deputeti socialist Taulant Balla. Ai tha se opozita nuk reagon për këtë çështje, po për interesat e tyre personale.
“Pak minuta më parë PE miratoi rezolutën për Shqipërinë. Një element i rëndësishëm që çon dëm diskutimet patetike për një Shqipëri tjetër. Mjafton të lexosh vetëm fjalinë e parë të kësaj rezolute. Rezoluta e PE inkurajon reformën në drejtësi”, tha Balla.
Ai ka komentuar dhe vendimin e një dite më parë të Byrosë për pezullimin e socialistit Erjon Braçe dhe vërejtjen për Sali Berishën.
“Na mungon Saliu, po mirë bën që e ka kuptuar vërejtjen e djeshme të Byrosë së Kuvendit, që paska reflektuar që sot e ka bërë pushim pasi më vjen shumë keq që sot në Kuvend nuk është Erion Braçe që dje u pezullua nga Byroja me patëdrejtë, ndërkohë që shkaktari i gjuhës regresive ësthë vetëm një person, lideri historik i zv. lideres historike”, tha Balla më tej.
Ai kundërshtoi propozimin demokrat për komisionet hetimore, duke thënë se PD-së nuk i interseojnë, por po kërkon shkak për të bllokuar reformën në drejtësi.
Blushi: Dekriminalizimi, prova që politika nuk e do reformën në drejtësi
Vonesa në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për deputetin Ben Blushi është një provë që tregon se politika po kërkon të kthejë në hiç reformën në drejtësi.
Duke shprehur skepticizmin e tij për zbatimin e reformës në drejtësi, Blushi tha se palët prej 25 vitesh vazhdojnë i hedhin fajin njëra-tjetrës.
“Besoj se dhe nëse do të ketë reform në drejtësi, drejtësi nuk do ketë se ky Parlament prodhon më shumë fjalë se ligje. Ky është Parlamenti me shqiptar po shumë pak raste në dobi të shqiptarëve. Ky Parlament po bën sot gjithçka për ta shtyrë e për ta bërë hiç reformën në drejtësi dhe për këtë gjë kam një provë. Në fund të vitit të kaluar u miratua ligji i famshëm për dekriminalizimin. Shumë kolegë që e votuan sot thonë që janë bërë pishman. Unë i pyes, ca ka për tu bërë pishman? Me ligj ata njerëz me precedent penal duhet të dalin me ligj nga ky Parlament”, tha Blushi në Kuvend.
Edhe nëse reforma në drejtësi tha Blushi miratohet, nuk ka asnjë garanci se do të ndëshkohet gjykatësi, prokurori apo politikani. “Nuk ka asnjë garanci, dhe ky është perceptimi publik, që reforma në drejtësi do të përfundojë si një marrëveshje për të mos na ndëshkuar ne”, vijoi Blushi.
Ahmetaj: Ekonomia, jo aty ku do të donim. Por e përmirësuar
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke iu përgjigjur deklaratave të kolegut të tij Blushi ka pranuar vështirësitë ekonomike që hasen sot në vend, por situata sipas tij ka ardhur duke u përmirësuar.
Fillimisht, Ahmetaj është shprehur dakord me Blushin sa i takon efikasitetit të reformës në drejtësi që pritet të miratohet, e cila sipas tij ka efekt direkt në ekonomi.
“Situata ekonomike nuk mund të përmirësohet nëse nuk ka një drejtësi të pavarur. Nëse s’miratojmë reformën në drejtësi rrezikojmë hapjen e negociatave”, ka thënë Ahmetaj.
Por, ka shtuar ai, “edhe pse situata ekonomike nuk është aty ku do të donim, rritja ka arritur në 2.6 për qind”.
“Varfëria është ulur, ekonomia shqiptare e ka lënë mbrapa krizën. Raporti i Bankës Botërore tregon se punësimi është rritur. Konsumi është rritur për shkak të rritjes së parave të disponueshme nga qytetarët”, ka thënë Ahmetaj.
Topalli: Raportet ndërkombëtare tregojnë të kundërtën e qeverisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, duke iu përgjigjur referimeve të ministrit të Financave, ka deklaruar se raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë të kundërtën e atyre që deklaron ai për ekonominë shqiptare.
“DASH, Banka Botërore dhe shumë raporte të tjera tregojnë të kundërtën e atyre që thotë kjo qeveri”, ka thënë Topalli. Sipas saj, korrupsioni ka kapur të gjitha degët e kësaj qeverie dhe ka bërë që vetëm në 1 vit të largohen nga vendi 100 mijë shqiptarë.
“Raporti i Bankës Botërore thotë se 46 për qind e qytetarëve jetojnë me 5 dollarë në ditë. Papunësia është rritur në mënyrë progresive, prandaj shqiptarët ikin. 2.8 milionë kemi mbetur këtu. Kjo ndodh vetëm për një arsye, korrupsioni. Është babëzia”, ka thënë Topalli, e cila ka cituar raportin e KLSH për 1 miliard dollarë dëme të shkaktuara shtetit.
“Nga ana tjetër kemi Koçon dhe konçesionet që merr ai. Korrupsioni vjen si pasojë e kulturës mjerane, se po erdhe në pushtet vjen për të pasuruar veten”, ka thënë më tej Topalli, e cila ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Rama në SHBA.
“Kryeministri ynë flet për zgjedhjet e një vendi tjetër, në një kohë kur vendi i tij është i zhytur në korrupsion”, ka shtuar Topalli.
Parlament, diskutime për komisionet hetimore
Parlamenti ka nisur me diskutime për projektligjin e propozuar nga opozita për komisionet hetimore. Deputeti socialist Ulsi Manja i ka kërkuar maxhorancës të mos miratojë këtë projektligj, pasi sipas tij propozimi bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën.
Por demokratët kanë mbrojtur propozimin e tyre, duke e akuzuar maxhorancën për abuzime.
“Dy komisione kanë përfunduar punën me sukses të ngritura me iniciativën tuaj, njëri për shkarkimin e drejtuesit dhe anëtarit të KLD-së dhe i dyti ishte ai më qesharaku, ishte pikërisht komisioni i ngritur nga maxhoranca kundër akuzave të PD-së për trafik droge nga Forcat e Armatosura. Në historinë e parlamentarizmit do të ngelet si komisioni më qesharak që është ngritur ndonjëherë në këtë Parlament”, tha deputeti demokrat Luçiano Boçi.
Top Channel