Debat për ekonominë; Blushi: Varfëria po shtohet; Ahmetaj: Varfëria ka rënë

14/06/2016 00:00

Gjendja ekonomike në vend dhe largimi i shqiptarëve është bërë  temë debati në seancën plenare të kësaj të enjteje në Kuvend. Deputeti Ben Blushi akuzoi qeverinë se po nxit të rinjtë të largohen nga vendi.

“Njerëzit po ikin, të varfërit po shtohen, shkollat po zbrazen, fshatrat po zhduken, qytetet e mëdha po kthehen në tregje, ndërsa Shqipëria në një pazar pa ekonomi dhe me shumë pak njerëz”, deklaroi Blushi.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke iu përgjigjur deklaratave të kolegut Blushi ka pranoi vështirësitë ekonomike që hasen sot në vend, por situata sipas tij ka ardhur duke u përmirësuar.

“Varfëria nuk luftohet duke emocionuar të varfërit dhe nëse këtu thuhet se varfëria është ngritur, jo. Varfëria është ulur, jo mjaftueshmërisht sepse kemi ardhur nga gropa dhe që të dalësh nga gropa duhen përpjekje. Dhe ne kemi dalë nga gropa, Shqipëria e ka lënë prapa krizën”, tha Ahmetaj.

Por, shtoi ai, “edhe pse situata ekonomike nuk është aty ku do të donim, rritja ka arritur në 2.6 për qind”.

“Raporti i Bankës Botërore tregon se punësimi është rritur. Konsumi është rritur për shkak të rritjes së parave të disponueshme nga qytetarët”, tha Ahmetaj.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, duke iu përgjigjur referimeve të ministrit të Financave, deklaroi se raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë të kundërtën e atyre që deklaron ai për ekonominë shqiptare.

“DASH, Banka Botërore dhe shumë raporte të tjera tregojnë të kundërtën e atyre që thotë kjo qeveri”, tha Topalli. Sipas saj, “korrupsioni ka kapur të gjitha degët e kësaj qeverie dhe ka bërë që vetëm në 1 vit të largohen nga vendi 100 mijë shqiptarë”.

“Raporti i Bankës Botërore thotë se 46 për qind e qytetarëve jetojnë me 5 dollarë në ditë. Papunësia është rritur në mënyrë progresive, prandaj shqiptarët ikin. 2.8 milionë kemi mbetur këtu. Kjo ndodh vetëm për një arsye, korrupsioni. Është babëzia”, tha Topalli, e cila citoi raportin e KLSH për 1 miliard dollarë dëme të shkaktuara shtetit.

“Nga ana tjetër kemi Koçon dhe konçesionet që merr ai. Korrupsioni vjen si pasojë e kulturës mjerane, se po erdhe në pushtet vjen për të pasuruar veten”, vijoi më tej Topalli, e cila ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Rama në SHBA.

“Kryeministri ynë flet për zgjedhjet e një vendi tjetër, në një kohë kur vendi i tij është i zhytur në korrupsion”, shtoi ajo.

Top Channel