Rama: Zgjidhja e mundshme. PD të tërhiqet nga “vendet e rezervuara”

13/06/2016 14:25

Në një deklaratë për mediat paraditen e kësaj të hëne, kryeministri Edi Rama ka përsëritur apelin drejtuar opozitës që t’i bashkohet procesit të realizimit të reformës në drejtësi.

Në fjalën e tij, Rama është shprehur se mundësitë për një zgjidhje konsensuale ekzistojnë, por, sipas tij, opozita duhet të ketë një qasje më fleksibël.

“PD i ka braktisur pozicionet e mëparshme për reformën në drejtësi. Sipas tyre, opozita duhet të mbrojë sistemin nga kapja. Ne i kemi ofruar opozitës dy të tretat. Nuk ka perëndi që të kapë drejtësinë me një formulë të tillë, ku opozita ka pjesën e saj”, ka deklaruar Rama.

Duke theksuar se qeverisë nuk i intereson kapja e drejtësisë, por ringritja e këtij sistemi, Rama ka thënë se, në asnjë moment mazhoranca ka patur për qëllim përjashtimin e opozitës nga ky proces.

“Kemi punuar dhe po punojmë për një zgjidhje që të përshtasë nevojat e përfshirjes substanciale të opozitës, sipas rekomandimeve të Venecias. Zgjidhja është e mundur për PD, nëse ajo lëviz nga pika e vendeve të rezervuara”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë të qartë se, “shumica e cilësuar është vija e kuqe të cilën PS nuk do ta kapërcejë dhe për të cilën nuk do të bëjë kurrë një kompromis me PD”. “Nëse bëhet, unë nuk do ta votoj kurrë këtë reformë”, ka theksuar Rama.

Shefi i qeverisë ka sqaruar se, reforma parashikon katër institucione të reja, të cilat, siç tha ai, do t’i nënshtrohen një “radiografie” të mirëfilltë për përzgjedhjen e funksionarëve të tyre.

“Ata që do të zgjidhen në këto instanca do të zgjidhen me shumicë të cilësuar. Ne nuk do ta kursejmë këtë shumicë të cilësuar”, ka vijuar Rama.

Ai ka ftuar opozitën të kthehet në komision për të vazhduar procesin, “sepse nuk ka më asnjë orë për të humbur”, por ka dhënë edhe një paralajmërim.

“Por nëse opozita do të na detyrojë ta votojmë draftin të vetëm, ne do ta votojmë atë pa asnjë lëkundje”, ka shtuar kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA