Takimin Meta-Basha për reformën në drejtësi të kërkuar nga kreu i Parlamentit, kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi e cilëson si një përpjekje për të rikthyer opozitën në procesin e finalizimit të reformës.
Por duke komentuar takimin, Gjinushi thotë se opozita duhet të tregojë që nuk kërkon ndryshimin e draftit. “Shpëtimi i faqes së PD, për t’u ripërfshirë në proces nuk është gjë negative. Por nëse kjo bëhet me çmimin e ndryshimit të përmbajtjes së draftit, atëherë kjo do të ishte një Pazar”, deklaron Gjinushi.
Skënder Gjinushi thotë se alternativa e vendeve të rezervuara që kërkon opozita për institucionet e drejtësisë do të çojë në ngërçin politik të tyre, për të cilat dha edhe shembullin.
“Opozita kërkon që institucionet të zgjidhen sipas formulës së KQZ-së. Pra, kërkon të trajtojë institucionet e pavarura kushtetuese si KQZ-ja aktuale”, sqaron Gjinushi.
Thirrjen e ndërkombëtarëve për votimin e reformës në Parlament dhe deklaratën e Ambasadës Amerikane pas takimit Rama-Basha, Gjinushi e cilëson legjitime për një arsye të thjeshtë.
“Përderisa komunitetit ndërkombëtar i është kërkuar të hartojë një projekt të paanshëm, atëherë detyrimi i palëve është që ta votojnë atë. Është mashtruese t’i thuash opinionit publik nga ata që pengojnë reformën, se nëse përputhet projekti me rekomandimet apo standardet e komunitetit ndërkombëtar”, shton Gjinushi.
Top Channel