Basha: Rama pranoi parimin, por jo zbatimin e tij

13/06/2016 00:00

Lulzim Basha doli me një lajm të mirë për reformën në drejtësi këtë të hënë, megjithëse gota, sipas tij, është ende gjysmë plot.

“Sot pas këmbënguljes tonë parimore dhe përkundër presioneve për të qëndruar në parimet e Komisionit të Venecias, kemi një lajm të mirë. Rama pranoi parimin në rekomandimin e 88-të të Venecias, pranoi por nuk dëshiron ta aplikojë atë në të katërt institucionet e reja, por vetëm në dy prej tyre. Dëshiron ta aplikojë me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, tha kreu i PD.

Lulzim Basha thotë se për këto, opozita kishte rënë dakort që në muajin shkurt, ndërsa kërkon shtrirjen e këtij parimi edhe në dy institucionet e tjera të reja, që janë kyçe në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për këtë Basha thërriti në ndihmë paragrafin 88 të rekomandimeve të Venecias.

“Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Venecia u rekomandon autoriteteve shqiptare që t’u kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme, nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jogjyqarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, që janë dy dhomat e tjera, pra vetingu dhe apeli për vetingun, ata mund të zgjedhin një sistem prop9orcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përashtatshëm që do të siguronte përfshirjen e opozitës në procesin e vendimmarrjes”, u shpreh ai.

Top Channel