Sokol Balla – Lens Agglo
Eshtë e diele dhe stacioni i Lens është thuajse bosh. Më shumë ka policë se udhëtarë, e tek tuk edhe ndonjë shqiptar. Lens, ky qytetth historik breton, ka filluar të veshë rrobat e veta te perhimta tradicionale.
Ikën cucat e bukura shqiptare dhe boyfriend-ët e tyre të zhurmshëm, që edhe orë pas humbjes gëzonin nëpër pub-et dhe rrugët e qytetit, nën sytë e habitur të francezëve dhe pak zviceranëve të dehur, që nuk kuptonin arsyen përse një humbje duhet festuar. Por ne vijmë nga Ballkani, aty hu humbjet shënojnë historinë dhe bëhen edhe pjesë e krenarisë kombëtare. Si serbët me Fushë Kosovën apo ne me Kongresin e Berlinit, apo pushtimin Italian. Gjithmonë më ka bërë përshtypje fakti përse ne kujtojmë unanimisht datën e pushtimit italian por ndërkohë vetëm grindemi për datën e Clirimit.
Sikur duam ta ndajmë humbjen në mënyrë të barabartë, por fitoren ta marrim secili për vete.
Gjithsesi humbja me Zvicrën ishte thuajse fitore për kuqezinjtë në rrugët e Lens. Akti i Canës, një dobësi fillestare sportive u kthye shpejt në akt heroizmi, edhe me ndihmën tonë, të gazetarëve. Gabimi foshnjarak i Berishës tek goli i Scharr, i la shpejt vend komplimentave për pritjet heroike ne tre raste të tjera dhe askush nuk u mor me “mëkatin” e Gashit përballë shtate metra E 25 centimetra porte bosh qe pati përballë, kur e dërgoi topin tek dhjetë centimetrat katrorë të dorës së portierit zviceran, e vetmja hapësirë e zënë që ai kishte. Ky popull ka nevojë për heroizëm. Dhe ai heronjtë i ka gjetur në këta djem që nuk luajnë me këmbë – aty na mundin kollaj – por me zemër. Dhe sic thotë një shprehje pukjane: Trimi nuk e dëgjon kurrë këngën e vet. E përkthyer në kodin e Euro2016: ndoshta kjo ishte humbja që na duhej.
Sa i përket Zvicrës? Së paku nuk ishte një shqiptar ai që na ndëshkoi. I vetmi rekord shqiptar ishte ai i Granit Xhakës: 120 pasime në një ndeshje, rekord për ekipin e tij dhe të Europianit. 40 milion euro të shpenzuara mirë për Arsenalin dhe një gezim i ndarë në dysh për nënën dhe gruan e tij me shqiponjën bërë me duart e secilës. Valon Berhami ndërkohë mbajti rekordin e zellit për të luajtur fort kundër bashkëkombasve të tij, që për fat nuk e ndau as me Shaqirin, Memedin e Xhemailin (serbi Petkovic dha mesazh se e kuptoi “lodhjen” e tyre kur i ndërroi të tre) dhe bile as me boshnjakun Seferovic, shoku i skuadrës së Xherdanit në Stoke City.
Më i mërzituri ndër shqiptarët, ishte Shkodran Mustafi. Mbrojtësi gjerman gjeti kohë të bënte një tuit, për kombëtaren shqiptare që sipas tij duhet të merrte një pikë. Pastaj ju përvesh punës për tu bërë gati sonte në Lille, për t’u ndeshur me Ukrainën. Një tjetër përballje ku sporti, takohet me historinë. Sepse sporti është një zgjatim i historisë, ose së paku i humbjeve në të. Lajmi i mirë është se sonte kur të jem në stadiumin e Lille, do shijoj një ndeshje futbolli dhe një shqiptar që luan me Gjermaninë. Kombëtarja ime në Europian e ka fashitur pasionin për panzerat. Dhe këtu s’ka rëndësi nëse marrim ose jo pikë me Francën në Marsejë.
Në mediat franceze ama, ndeshja me Shqipërinë duket e rëndësishme. “S’kanë asgjë për të humbur, por vetëm për të fituar”. Francezët na e njohin këtë rrezik. Armando Duka duket i të njëjtës mendje. “Nuk e kuptoj përse duhet të na kapin emocionet. Për ne është fitore që jemi këtu”. Por ne jemi shqiptarë. Ne na pëlqen e pamundura. Gjergj Elez Alia që mund bajlozin e detrave. Heronjtë e Eposit që mundin Katallaniin. Taulanti që mund Granitin. Skëndërbeu që mund Sulltanin pastaj në Champions edhe Arsenalin. Davidi që mund Goliathin. Ashtu si Uellsi që vazhdon ëndrrën pas fitores me Sllovakinë. Uellsi është vendi i Shën Davidit. Por edhe i Gareth Bale. Ne nuk kemi një Gareth tonin. Nuk kemi një sulmues që ta bëjmë hero. Një mbrojtës po. Edhe kur ai del me karton të kuq.
Lens bëhet gati për ndeshjen e radhës. Uells kunder Anglisë. David kundër Goliath. Britanikë kundër Britanikëve. Secili ka ëndrrën, sfidën, historinë e vet këtu në Francë. Secili Taulantin dhe Granitin e vet. Të gjithë presin të festojnë fitoren. Dhe bëhen gati të thurrin legjendat për humbjen.
Vive la France! Allez les Rouges!
Top Channel