Të paktën 8 persona janë vrarë në një sulm të dyfishtë me bombë në një nga periferitë e Damaskut, ku ndodhet dhe tempulli i shenjtë shiit.
Sikurse raportojnë mediat shtetërore, të paktën 13 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimet, të shkaktuara nga një kamikaz dhe një autobombë.
Zona periferike Sajida Zeinab, rreth 10 kilometra në jug nga qendra e Damaskut, ka qenë shënjestër e një seri sulmesh.
Dy bombardime të kryera atje më herët gjatë vitit, të dyja të marra përsipër nga Shteti Islamik, u morën jetën më shumë se 150 personave.
Shpërthimi i parë, nga një atentator që mbante veshur një brez me eksploziv, ndodhi në hyrje të zonës, ndërsa i dyti, me autobombë, në rrugën Al Teen, jo shumë larg tempullit.
Tempulli Sajida Zeinab, me kupolën e artë, ka në brendësi varrin e një prej mbesave të profetit Muhamed dhe vazhdon të tërheqë pelegrinë shiitë, pavarësisht luftës civile.
Luftëtarë shiitë nga i gjithë rajoni i janë bashkuar konfliktit në Siri me argumentin se dëshirojnë të mbrojnë tempullin nga lufta civile.
Lëvizja shiite libaneze Hezbollah e ka cituar atë si arsyen kryesore pse ka zgjedhur për të luftuar përkrah forcave të presidentit sirian, Bashar al Assad.
Më shumë se 250 mijë vetë kanë vdekur dhe 11 milionë të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre përgjatë konfliktit 5-vjeçar që ka përfshirë Sirinë.
Top Channel