Gjyqtari i shumpërfolur ditët fundit Arjan Alija, ka lënë të pandryshuar masat e sigurisë arrest shtëpie ndaj drejtorit të Forcave Operacionale të Policise, Artjon Duka dhe specialistit IT të kësaj force, Entiol Xhelilaj.
Këta akuzohen nga Prokuroria se kanë shpërdoruar detyrën në kuadër të hetimeve të nisura në lidhje me një pajisje përgjuese, që dyshohet se është përdorur në kundërshtim me ligjin nga policia.
Seancat e komunikimit të masave u zhvilluan pa praninë e mediave. Ndonëse gjyqtari Aliaj, ishte dakort që mediat të ishin prezent, ka qenë kërkesa e dy të akuzuarve, që bëri, që sencat të zhvilloheshin me dyer të mbyllura.
Gjatë seancës mësohet se dy të pandehurit, Duka dhe Xhelilaj kanë deklaruar se nuk kanë kryer asnjë vepër penale dhe se nuk kanë shkaktuar asnjë pasojë që të merren si të pandehur.
Nga ana tjetër, prokurori Gjergji Tako i komunikoi gjykatës se ligji parashikon që personat që do të përdorin pajisje përgjuese duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie.
Pas lënies në fuqi të masave të sigurisë, të pandehurit dhe avokatët e tyre pritet të apelojnë vendimet në Gjykatën e Apelit.
Në lidhje me këtë çështje, Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë edhe ankimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, ndaj të cilit gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurimit pezullim nga detyra.
Top Channel