Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar sërish paraditen e së enjtes ndaj Gjykatës së Tiranës dhe presidentit, në cilësinë e kryetarit të KLD, për zgjedhjen e gjyqtarit që pezulloi kreun e Policisë së Shtetit.
“Gjykata thotë se Arian Aliaj u zgjodh pasi gjyqtari i radhës kishte probleme shëndetësore. Ky është justifikim si ai i Lulit kur justifikonte mungesën në gjykatë me raporte mjekësore. Gjykata ka dhënë një vendim haptazi të parregullt dhe joligjor. Pyes presidentin, pse u përzgjodh Arian Aliaj, i cili është shkarkuar nga detyra pasi ka lejuar lirimin nga burgu të një personi të dënuar me 14 vjet për dhunë seksuale me të mitur? Për cilën arsye u përzgjodh Aliaj, që ka dhënë dhe 4 vendime të tjera për të dënuar që kanë kryer vepra të rënda penale si vjedhje me armë e me dhunë? Përse u përzgjodh ky gjyqtar?”, është shprehur Tahiri.
Ai është shprehur gjithashtu skeptik për një përgjigje të kreut të shtetit, duke theksuar se ai ka qëndruar në heshtje edhe kur është pyetur për gjyqtarë të tjerë të përfshirë sipas tij në raste të ngjashme.
“Reforma në drejtësi është vullnet, kurajo dhe forcë për t’u bërë me qytetarët dhe për t’u thënë gjyqtarëve të korruptuar e që mbrohen politikisht “ndal””, ka vijuar Tahiri.
Ai ka ritheksuar se, segmente të prokurorisë dhe gjykatës janë bërë pjesë e frontit që nuk duan reformën në drejtësi. Ndaj dhe “ky sistem duhet tronditur nga themelet për t’i dhënë liri prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëjnë drejtësi sipas ligjit dhe jo sipas politikës”, ka shtuar Tahiri.
Top Channel