
Gjykata e Lartë la në fuqi vendimet e mëparshme të dy shkallëve të tjera të Gjyqësorit, atë me “arrest në burg” për Emiljano Shullazin dhe Blerim Shullazin, ndërkohë që ende nuk është marrë në shqyrtim kërkesa e rekursit për Gilmando Danin.
Emiljano Shullazi iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë përmes avokatëve të tij, duke kërkuar lirimin me argumentin se, Prokuroria nuk kishte prova për veprat për të cilat ai dyshohej.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, nga ana e saj, e dyshon atë për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “shkatërrim prone me eksploziv” dhe “kanosje për shkak të detyrës” në dy raste, ndaj ish-rektorit Dhori Kule dhe rektorit aktual Mynyr Koni.
Të dy profesorët kanë deklaruar më herët në Prokurori se nuk i njohën njerëzit që i kanosën për garën për Rektoratin e Universitetit të Tiranës, ndërkohë që Prokuroria po vijon me veprimet hetimore për dyshimet se, disa biznesmenë janë gjobitur nga Shullazi. Prokuroria po heton edhe për çështjen e ish-Vollgës, pasi ka dyshime sesi është tjetërsuar pronësia mbi këtë objekt.
Top Channel