OKB shton përpjekjet kundër HIV-it

09/06/2016 12:10

Kombet e Bashkuara do t’i shtojnë përpjekjet e tyre për të luftuar virusin e HIV-it dhe sëmundjen e shkaktuar prej tij me qëllimin që deri në vitin 2030 epidemia të shkojë drejt fundit. Njoftimi u bë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur mbi SIDA-n në Nju Jork.

Ajo që njihet si deklarata politike për HIV-in dhe SIDA-n synon fundin e sëmundjes epidemike brenda 15 vitesh e përfshin edhe plane për ta ulur numrin e vdekjeve prej saj në më pak se 500.000 brenda vitit 2020. Deklarata parashikon gjithashtu përpjekje për zhdukjen e diskriminimit ndaj personave të infektuar dhe mbrojtjen e të drejtave e dinjitetit të tyre.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, në luftën kundër sëmundjes së tmerrshme është shënuar një progres gjigand.

“Reagimi ndaj SIDA-s është burim frymëzimi dhe risie, pasi dëshmon se çfarë ndikimi mund të kenë shkenca, aktivizimi i komunitetit, lidershipi politik, pasioni dhe dhembshuria për tjetrin kur bashkohen të gjitha bashkë”, tha Ban Ki-moon.
 
Që prej vitit 2000, numri i rasteve të reja ka rënë me 35%, ai i vdekjeve që nga 2003-shi është tkurrur me 43% e sipas Ban, gjatë 15 viteve të fundit, niveli i infektimit të fëmijëve është zvogëluar me 56%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA