Bushi e Rroshi në prokurori, KQZ ia dërgon formularin organit të hetimit

09/06/2016 00:00

Me shate vota pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të dërgojë për verifikim më të thelluar formularët e vetëdeklarimit të kryebashkiakëve Elvis Rroshi dhe Artur Bushi pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

“Duke shqyrtuar formularin e tij dhe deklarimet e tij, është i paqartë, qoftë për dënimet e tij, qoftë për ndalimet e tij. Njëkohësisht edhe për emrin, sepse nga zyra e gjendjes civile nuk na ka ardhur ndryshime i emrit të tij. Unë jam i mendimit që ta kalojmë këtë draft dhe konkretisht kryetari i Bashkisë së Kavajës të shkojë për verifikime të thelluara në Prokurorinë e Përgjithshme”, shprehet Hysen Osmani.

Ishte vetë organi i akuzës që kërkoi pak ditë më parë vënien në dispozicion të këtyre formularëve, pasi kishin indicie se dy personat në fjalë kishin parregullsi në formularët e tyre.

Një tjetër pikë e rendit të ditës ishte dhe plotësimi i vendit vakant, lënë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi ndërprerjen e mandatit për deputetin Koço Kokëdhima.

Duke qenë se formulari i vetëdeklarimit i Edmond Lekës, i cili do të marrë dhe mandatin e deputetit, ishte dorëzuar vetëm pak minuta përpara fillimit te mbledhjes, KQZ vendosi që ta shtyjë për të premten dhënien e mandatit te deputetit për Edmond Lekën.

Top Channel