Brazil, korrupsion me tenderat e Rio 2016, kërkohet arrestimi i “ajkës” së politikës

09/06/2016 10:55

Me një tjetër goditje ndaj qeverisë të presidentit të përkohshëm Michel Temer, prokurori i përgjithshëm i Brazilit, Rodrigo Janot ka kërkuar arrestimin e disa politikanëve të vjetër, nën dyshimin se kanë penguar hetimet për korrupsion.

Ndërkohë, ditën e martë, autoritetet bastisën zyrat qendrore të konsorciumit që ka marrë përsipër ndërtimin e komplekseve sportive për Lojrat Olimpike, pas dyshimeve për krime përmes depozitimit të mbetjeve inerte.

Katër politikanët që kanë përfunduar në lupën e hetuesve janë presidenti i Senatit, Renan Calheiros; senatori Romero Juca; ish-presidenti Jose Sarney dhe kryetari i pezulluar i Dhomës së Parlamentit, Eduardo Cunha.

Disa përgjime të publikuara në muajin maj tregonin se si Calheiros bisedonte me ish-ministrin e Transparencës, Fabiano Silveira për të gjetur mënyrën se si të shmangej hetimi i prokurorëve në rastin korruptiv “Petrobras”.

Përgjimet çuan në dorëheqjen e Silveiras. Ndërsa Cunha, që u pezullua në maj, u akuzua për përpjekje për të penguar hetimin. Ai dyshohet se ka marrë rryshfete për kontratat e “Petrobras”, gjigandi brazilian i naftës, dhe ka fshehur miliona dollarë në Zvicër.

Më pas, një përgjim tjetër detyroi Romero Jucan të pranonte akuzat se po punonte për të penguar hetimin mbi “Petrobras”, ku rezultojnë të përfshirë ish-presidentët Lula dhe Dilma Rousseff; dhe po ashtu ish-presidenti Sarney.

Tani fjala i takon Gjykatës së Lartë, e cila duhet të aprovojë çdo aksion gjyqësor ndaj anëtarëve të Kongresit dhe ende nuk dihet se kur ky vendim do të merret.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA