Miqtë e personit të ekstraduar të martën në Itali nën dyshimin se ishte bosi i trafikut të qënieve njerëzore nga Afrika përmes Libisë e deri në Europë, kanë deklaruar se policia ka arrestuar personin e gabuar.
Prokurorët besojnë se Mered Medhanie, i njohur ndryshe si “Gjenerali”, është në krye të operacioneve të trafikut të emigrantëve drejt Europës.
Personi i dyshuar nga autoritetet si Mered u ndalua në Sudan në muajin maj dhe u dërgua në Romë ditën e martë.
Por miqtë e personit në fjalë kanë deklaruar për BBC se ka patur një gabim me identitetin e tij dhe se ai është i pafajshëm. Sipas tyre, ai quhet Mered Tesfamariam.
Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani ka deklaruar për shtypin se janë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët.
“Ky është një operacion shumëkombësh dhe kompleks dhe është shumë herët për të spekuluar me këto deklarata”, ka thënë zëdhënësi.
Ndërkohë, një zyrtar i policisë italiane tha për BBC se nuk ishte në dijeni të një hetimi mbi identitetin e personit të arrestuar. Sipas BBC, zyrtari ka lënë të kuptohet se policia italiane beson se ka në duar personin e duhur.
Ndërsa Agjencia Kombëtare e Krimit deklaroi se tek i dyshuari është arritur përmes një operacioni gjurmimi që ka çuar tek një adresë në Khartum, ku dhe i janë vënë prangat.
Pamjet e tij teksa zbriste në aeroportin e Romës u shpërndanë dje nga policia italiane. Hermon Berhe, që jeton në Etiopi, tha për BBC se ai është rritur në Eritrea me njeriun që tashmë është në burg në Itali.
“Nuk besoj se ai ka këllqe për t’u përfshirë në gjëra të tilla. ai është një person i dashur e miqësor”, tha Berhe.
Top Channel