Angli, në kërkim 42-vjeçari shqiptar. Akuzohet për zhdukjen e dy pensionistëve

09/06/2016 00:00

Policia britanike ka nisur një hetim ndërkombëtar, pasi kërkon të bisedojë me një shqiptar me emrin Ali Qazimaj, 42 vjeç, i cili dyshohet se ka kryer vrasjen e dy pensionistëve në Angli.

Ky person kërkohet për vrasjen me thikë të Peter Stuart, 75 vjeç, si dhe zhdukjen e gruas së tij 69-vjeçare, Silvia, e cila nuk është gjendur ende dhe mundësitë për gjetjen e saj të gjallë mendohet se janë të pakta.

Ali Qazimaj është paraqitur për azil si shqiptar i Kosovës duke fituar shtetësinë, e ka jetuar në Britani me emër fals që prej 17 vitesh, madje duke punuar edhe në një këshill lagjeje, njofton tabloidi “Daily Mail”.

Dedektivët britanikë kanë marrë në pyetje të mërkurën në Kosovë, një person me të njëjtin emër, por rezulton se ky i fundit nuk ka qenë kurrë në Angli dhe ishte një zhdrukthtar që nuk fliste asnjë fjalë anglisht.

Për personin e dyshuar për vrasjen e pensionistëve anglezë, policia britanike mendohet se di shumë pak informacion dhe fotografia e tij është vënë në njoftimin zyrtar të “INTERPOL”-it. Kryededektivi Simon Parkes thotë se, “gradualisht po krijojmë një profil të Ali Qazimajt dhe po vazhdojmë hetimet. Informacione të reja na vijnë në çdo moment në këtë hetim, që po ecën me hapa të përshpejtuara”.

Policia ka botuar foton e personit të kërkuar, si i dyshuar, me emrin Ali Qazimaj, për vrasjen e pensionistëve si dhe makinën “Citroen C3”, me të cilën ai ka udhëtuar deri në Portin e Doverit, kur mendohet sipas shtypit se është larguar të shtunën nga Anglia.

Top Channel