Gjatë qëndrimit në Uashington, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në një takim në Departamentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, ambasadori William Brownfield. Kryetari i Kuvendit e falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i japin Shqipërisë në të gjitha fushat dhe veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Më tej, Meta e njohu Brownfield me ecurinë e Reformës në Drejtësi, duke vlerësuar se procesi tashmë ndodhet në fazën e tij përfundimtare, atë të miratimit, pas paraqitjes së Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe interpretimit të misioneve të asistencës ligjore të SHBA dhe BE, OPDAT dhe EURALIUS. Meta theksoi se asistenca e ekspertëve amerikanë për projektimin, ngritjen dhe trajnimin e institucioneve të reja që parashikon paketa kushtetuese, veçanërisht njësia e Prokurorit Special Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës.
Meta kërkoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për një prezencë aktive për monitorimin gjatë fazës së implementimit të reformës, për procesin e vetingut dhe trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të ri të drejtësisë.
Meta shprehu angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të kaluar këtë reformë sa më parë, për të rikthyer besimin e publikut te shteti ligjor, për të luftuar me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar, për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nisur sa më parë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasador Brownfield vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe theksoi se SHBA mbështesin miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi, si një hap i rëndësishëm për rritjen e standardeve të sigurisë dhe shtetit ligjor të një vendi partner, anëtar në NATO dhe kandidat për në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Brownfield theksoi se mbështetja e SHBA do të jetë e vazhdueshme edhe në fazën e implementimit të reformës në drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja që ajo parashikon, përmes financimit të projekteve të trajnimit dhe përmirësimit teknologjik të strukturave të specializuara të zbatimit te ligjit.
Top Channel