Rama i përgjigjet biznesit: Nuk respektoni ligjin, të huajt shantazhojnë qeverinë

08/06/2016 00:00

Kritikave të sipërmarrjes për klimën e biznesit, kryeministri Edi Rama iu përgjigj publikisht në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar.

“E vërteta është se çfarë kemi bërë nuk mjafton absolutisht, nëse nuk vazhdojmë më tutje ta kompletojmë duke bërë atë që duhet. Por, më lejoni ta them se ka edhe një të vërtetë tjetër: shumë pak janë mësuar bizneset ta respektojnë ligjin”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama tha se ka kompani të huaja, të cilat shantazhojnë qeverinë për favore fiskale.

“Vetëm në Shqipëri dhe vetëm në këtë atmosferë mund të ndodhë që një kompani e huaj, duke tundur flamurin amerikan apo flamuj të tjerë shumë të respektuar, të mund të kërcënojë qeverinë shqiptare”, tha më tej Rama.

Vlerësimet më të fundit skeptike për klimën e biznesit ishin ato të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Unë e kuptoj shumë mirë reagimin e biznesit. Por të më thoni mua që klima e biznesit sot është përkeqësuar, ndërkohë që 32 muaj më parë ju nuk merrnit dot një TVSH mbrapsht, pa paguar të paktën 50% të asaj që ju takonte, kjo më duket pak si e tepruar”, u shpreh Rama.

Qeveria ka hedhur për konsultim me sipërmarrjen një ligj të ri për procedurat, i cili sipas saj lehtëson biznesin.

“Këto bëjnë diferencë shumë të madhe nga ajo që ka qenë përpara. Ky është një sistem i ri tatimor për sa i përket procedurave, ku prevalencën e ka sipërmarrja”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA