Paketa e re fiskale, biznesi përkrah zbutjen e penalizimeve

08/06/2016 00:00

Biznesi mirëpret zbutjen e masave ndëshkuese në ligjin e ri të procedurave tatimore, por i kërkon qeverisë të lehtësojë edhe barrën fiskale.

“Është domosdoshmëri që qeveria shqiptare ta shohë seriozisht uljen e tarifave të sistemit të taksave. Ne sot jemi me paketën fiskale më të rënduar në rajon”, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka.

“Presim disa ulje të taksave dhe këtu nënkuptoj ose tatim-fitimin, ose dividentin për veprimtaritë prodhuese shqiptare”, shprehet Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve.

Ulja e taksave mbetet kërkesa kryesore e sipërmarrjes, por jo e vetmja. Ankesa ka edhe krahun e procedurave, duke filluar nga rimbursimi i TVSH-së.

“Thuhet që do të bëhet rimbursimi automatik, ai pa risqe e të tjera me radhë. Gjëra shumë të bukura kur i dëgjon, por faktikisht, ne sot kemi kompani udhëheqëse në treg që vuajnë për likuiditet, vetëm e vetëm sepse nuk i është rimbursuar TVSH-ja”, deklaron më tej Gjergji Gjika.

“Ne mendojmë që avokati i tatimpaguesve të jetë të paktën brenda emërimit të institucionit të Ministrisë që mbulon tregtinë, ndërsa lidhur me apelimin tatimor ne vazhdojmë të kërkojmë që të jetë nën varësinë e Këshillit të Ministrave”, tha Nikolin Jaka.

Paketa e re e procedurave ul gjobat për pjesën dërrmuese të shkeljeve tatimore. Por për bizneset e vogla, të cilat tregtojnë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, ajo parashikon automatikisht kalimin në biznes të madh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA