
Ottmar Hitzfeld e njeh shumë mirë ambientin dhe talentet e kombëtares zvicerane, një seleksion të cilin gjermani e ka drejtuar pak kohë më parë dhe ka marrë rezultate pozitive.
Këtë herë në rolin e opinionistit, tekniku i njohur ka dhënë parashikimin e tij për betejën e 11 qershorit, duke anuar fitoren në favor të “helvetikëve”.
“Ndeshja ndaj Shqipërisë do të jetë vendimtare për kualifikimin dhe e dominuar nga emocionet. Deri më tani trajneri Petkovic ka bërë të pamundurën për të mbrojtur lojtarët nga presioni dhe emocionet por çdo lojtar në fushë do të duhet të luftojë fort. Unë besoj se Zvicra e mund Shqipërinë 2-0 dhe kjo do të jetë pika kur do të vazhdojë marshimi në Europian”, tha Otmar Hitzfeld.
“Të gjithë duhet të heqin mendjen nga tribunat e stadiumit, nga provokimet e të tjera si këto. Unë besoj se Zvicra do fitojë por këtë nuk do t’ua thosha lojtarëve, po të isha ende trajner i tyre”, vijoi tekniku gjerman.
Ai është pagëzuar me emrin “Gotmar Hitzfeld”, një akronim simbolik që e ngre në rolin e zotit për shkak të sukseseve të shumta me ekipe të ndryshme, me plot 18 trofe mes Dortmund, Bayern dhe Grasshopper.
Zvicra do të hapë Europianin e saj me ndeshjen e 11 qershorit ndaj Shqipërisë, një përballje emocionuese që starton në orën 15:00 në stadiumin e Lens. Më pas “helvetikët” do të bëjnë llogaritë me Rumaninë në Paris dhe me Francën në stadiumin e Lilës.
Top Channel