Lehtësohen gjobat, por pa faturë ndëshkohesh ashpër

06/06/2016 00:00

Ministria e Financave ka përgatitur një projektligj të ri për procedurat tatimore, i cili ul represionin fiskal ndaj biznesit. Drafti zbut masat ndëshkuese për pjesën më të madhe të shkeljeve tatimore duke filluar nga ato të punës informale.

Për bizneset e mëdha që kanë punonjës të padeklaruar, gjoba ulet nga 500 mijë lekë që është aktualisht në 200 mijë lekë, ndërsa për bizneset e vogla ajo shkon në 50 mijë lekë. Paralelisht nëse shkelja është e përsëritur, ajo nuk do të klasifikohet evazion tatimor dhe rrjedhimisht biznesi nuk do të ndiqet penalisht siç përcaktohet nga ligji aktual.

Gjobat zbuten edhe për fshehjen e pagës. Aktualisht bizneset që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve gjobiten me 500 mijë lekë. Por nga 1 korriku masa e gjobës do të jetë sa vlera e detyrimit të padeklaruar për periudhën që provohet shkelja.

Paralelisht drafti heq ndëshkimin për punonjësit e paregjistruar të familjes dhe i lejon biznesit të vetëkorrigjojë deklaratat tatimore deri në 5 vjet. 

Por nëse për shumicën e shkeljeve ligji e zbut karakterin represiv, në një pikë ai e forcon atë. Bizneset e vogla kryesisht te shitjes me pakice, me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë në vit, të cilat kapen duke tregtuar mallra të pashoqëruara me faturë do të klasifikohen automatikisht si biznes i madh.  Aktualisht dënimi për këtë shkelje është vetëm konfiskim i mallit.

Përmes kësaj mase, qeveria synon të mbyllë shtegun e evazionit në hallkën e fundit të zinxhirit tregtar, duke dekurajuar bizneset e vogla të blejnë furnizime pa faturë nga biznesi i madh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA