Rossi, i jashtëzakonshëm në Montmelo

05/06/2016 00:00

Nga vendi i 7 në të parin. Kjo është “çmenduria” e radhës e Valentino Rossit i cili bëri një përmbysje të madhe duke fituar Çmimin e Madh të Katalunjës e duke lënë mbrapa Marc Marquezin.

Pasi zhvilloi një garë tërësisht në ngjitje, Rossi e pa veten në një duel të ethshëm me Marquez, dhe dy xhiro përpara fundit arriti të kompletonte përmbysjen e madhe duke parakaluar për herë të fundit spanjollin e Repsol Hondas, për të bërë të tijën garën e Barcelonës.

“Kjo ishte një nga fitoret më të bukura në karrierën time”, deklaroi Vale në përfundim të garës, me Rossin që ia dedikoi fitoren spanjollit të Moto 2, Luis Salom, i cili u nda nga jeta të premten pas një aksidenti tragjik.

Podiumi në garën e Barcelonës u kompletua nga Daniel Pedrosa, ndërsa vendi i katërt i takoi Suzukit të Maverick Vinales, i cili gjithsesi e përfundoi garën me 24 sekonda vonesë krahasuar me Rossin.

Një fundjavë tërësisht për t’u harruar për pilotin tjetër të Yamahas, Jorge Lorenzo, i cili përveç se kishte një ritëm të ulët në Montmelo, disa xhiro përpara fundit u godit nga prapa nga Andrea Iannone, duke dalë jashtë piste.

Top Channel