
Është kremtuar këtë të shtunë në Shijon të Njësisë Administrative Bradashesh në Elbasan, 1 mijë vjetori i vdekjes së shenjtorit Joan Vladimir. Kjo ditë është shënuar si e tillë pasi shekuj më parë shenjtori serbo-malazez mendohet të ketë nisur predikimin e fesë ortodokse në këto zona të Elbasanit.
Në manastirin që mban emrin e Shën Joan Vladimirit u mblodhën sot qindra besimtarë nga i gjithë vendi, por ajo që të binte në sy ishin pelegrinazhet serbo-malazeze.
“Është hera e dytë që vij në këtë manastir. Na pëlqen shumë të vijmë këtu pasi edhe këtu në Shqipëri, klerikët na presin shumë mirë. Ky manastir është një vend i shenjtë për të gjithë popullin serb. Ky është një vit i veçantë për këtë manastir pasi është një mijë vjetori i Shën Joan Vladimirit, Mbretit Serb të Zetës, pasi për jetën e tij të shenjtë u martirizua dhe ndaj vijmë këtu me besim dhe shpresë, po ashtu shpresojmë çdo vit. Ka shumë besimtarë që sot kanë ardhur nga Serbia dhe Mali i Zi, të cilët janë shumë të kënaqur nga mikpritja e shqiptarëve. Jemi mirënjohës për pritjen që na bëjnë në Shqipëri dhe dashurinë që tregohet gjatë shërbesave të shenjta. Ne ftojmë të gjithë shqiptarët të vizitojnë Kishën e Shën Joan Vladimirin në Serbi dhe në Mal të Zi. Jeni të mirëpritur në vendin tonë”, thotë një qytetare serbe.
“Vijmë këtu çdo vit sepse jemi të kënaqur nga pritja që na bëhet, por edhe sepse Shën Joan Vladimiri është një shenjt mbrojtës i vendit tonë, është një mbret serb i cili është përpjekur dhe martirizuar për jetën e tij të pastër me Krishtin. Nuk ka rëndësi kombësia këtu, por shërbesa dhe lutja që i drejtohemi Zotit dhe kjo na jep gëzim sa herë që vijmë”, deklaron një klerik
Shërbesa e shenjtë këtë vit është drejtuar nga Mitropoliti, Hirësia e tij Andoni.
Ashtu si çdo vit në Manastir ishte përgatitur edhe pritja për vizitorët dhe përsonalitetet. Janë ulur bashkë për urimet e rastit përfaqësues të kishës katolike, përfaqësues të myftinisë, bektashinjve, pushtetarë vendorë e deputetë.
Top Channel