Fisku sipas biznesit, zbardhen lehtësitë për sipërmarrësit

03/06/2016 00:00

E gjendur së fundmi përballë kritikave nga sipërmarrja, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për klimën e vështirë të biznesit, qeveria është duke përgatitur një paketë të re që lehtëson procedurat tatimore.

Top Channel zbardh të plota ndryshimet kryesore, të cilat zgjerojnë rimbursimin automatik të TVSH-së, zbusin masat ndëshkimore ndaj biznesit për një sërë shkeljesh dhe i hapin rrugë përdorimit të faturave elektronike.

Kështu, lehtësirat fillojnë me eksportuesit. Aktualisht qeveria bën rimbursim automatik të TVSH-së vetëm për kompanitë, të cilat e shesin 100 për qind të prodhimit në eksport.

Me draftin e ri, këtë lehtësim do ta përfitojnë ato ndërmarrje që eksportojnë deri në 70 për qind të prodhimit dhe pjesën tjetër e shesin brenda vendit. Ndërsa për bizneset të cilat shesin në eksport të paktën 50 për qind të prodhimit, TVSH-ja do të rimbursohet brenda 30 ditëve.

Sipas Ministrisë së Financave, këto ndryshime e rrisin numrin e eksportuesve që përfitojnë rimbursim automatik të TVSH-së në 40% të totalit. Veç lehtësirave për eksportuesit, qeveria ka zbutur masat ndëshkuese për disa shkelje tatimore.

Së pari, drafti rrëzon gjobën 500 mijëlekëshe për mosdeklarim punonjësish, në rastin kur ata janë punonjës pa pagesë në biznesin familjar.

Po kështu, ai heq konfiskimin e mallrave pa dokumentacion shoqërues, duke e zëvendësuar këtë me forcimin e masave që kërkojnë domosdoshmërinë e dokumentimit.

Zbutje dënimesh do të ketë edhe për mosdeklarimin në afat të deklaratës tatimore, mospagesës së taksave brenda afatit, por edhe plotësimit të pasaktë të deklarimit. Por këto nene pritet të përcaktohen më vonë.

Për bizneset në vështirësi për të paguar taksat do të krijohet mundësia e pagesës me këste, ndërsa, siç ka lajmëruar më parë ministri i Financave, ndërmarrjet do të kenë të drejtë vetëkorrigjimi pa penalitet të deklarimeve tatimore 5-vjeçare.

Parlaleisht, ndryshimet i japin mundësi biznesit të printojë vetë faturën kompjuterike pa u kufizuar nga numri i faturave me TVSH dhe heqin apelimin tatimor nga Drejtoria e Tatimeve, duke e rikthyer në Ministrinë e Financave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA