Banka e Shqipërisë kritikoi bankat private për mungesë transparence për mënyrën se si qeverisen dhe marrin vendime, duke përfshirë politikat e shpërblimeve të drejtuesve.
“Bankat kanë mungesë transparence dhe nuk publikojnë informacion mbi mbledhjet e aksionerëve, procesin e seleksionimit, praktikat e kualifikimit dhe politikën e bonuseve dhe shpërblimeve speciale. Të gjithë këta elementë duhen përmirësuar sepse gjenden në këtë situatë prej shumë vitesh”, deklaroi Deniz Derralla, drejtor i mbikëqyrjes në BSH.
Qeverisja e bankave u shndërrua një nga çështjet më të nxehta të politikës globale pas krizës financiare të vitit 2008. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Obama ndërmori reforma radikale nga kufizimi i pagesave për bankierët deri tek masat shtrënguese për rritjen e transparencës.
“Ne kemi vlerësuar gjithashtu edhe indeksin e qeverisjes së bankave. Ajo që kemi vënë re është se gjatë krizave qeverisja e bankave përkeqësohet dhe indeksi ulet”, tha më tej Derralla.
Banka e Shqipërisë ka kontraktuar Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Koorporatën Financiare Ndërkombëtare, që ta ndihmojnë në forcimin e mbikëqyrjes bankare.
“Ajo që ne planifikojmë të bëjmë është një rishikim total i kuadrit ligjor dhe të propozojmë rekomandime për të ndihmuar Bankën e Shqipërisë të përmirësojë mbikëqyrjen, veçanërisht sa i takon riskut, qeverisjes së brendshme të bankave, zbatimit të ligjit dhe auditin e brendshëm”, tha Gian Piero Cigna nga BERZH.
Top Channel