
Deri në ditën e fundit të turneut me finalen e madhe më 10 korrik, siguria në Europianin 2016 do të jetë çështje e ditës, ndoshta po aq sa futbolli në fushë.
Si asnjëherë më parë policia franceze ka ndërmarrë një operacion sigurie për evenimentin kontinental të kësaj vere, dhe pas kërcënimeve të fundit, ka rishikuar protokollet e sigurisë në stadiumin kombëtar transalpin.
“Stad de France” ishte një prej objektivave të ekstremistëve islamikë në një plan të mirëorganizuar për të mbjellë terror anembanë Parisit, por fatmirësisht kur po luhej miqësorja me Gjermaninë, kamikazi nuk u fut dot në impiant.
Franca mirëpret turneun nga 10 qershori në 10 korrik kur rreth 3 milionë tifozë priten në stadiume. Në impiantin e testuar prej 80 mijë vendesh do të zhvillohet ndeshja hapëse mes transalpinëve dhe Rumanisë, si dhe finalja e madhe përveç përballjeve të tjera të programuara.
“Stade de France” u rihap në muajin shkurt për herë të parë pas atentateve tragjike që goditën Parisin në nëntor të vitit 2015.
Forcat e sigurisë zhvilluan teste mbi reagimin ndaj kërcënimeve me bombë dhe armë kimike, dhe si të përballonin turmën masive në evente të tilla. Për Euro 2016 në Francë, janë mobilizuar 90 mijë forca sigurie.
Top Channel