
Forcat speciale RENEA hoqën pajimet e rënda dhe veshën kostumin e “Spiderman”-it dhe “Batman”-it këtë 1 qershor. Në dritarët e dhomave të Spitalit Pediatrik, papritur u shfaqën personazhet dhe heronjtë më të dashur të filmave për fëmijë.
Për më shumë se një orë, në mjediset e spitalit mbizotëroi një atmosferë festive, ku aktorët kryesorë ishin efektivët e policisë. Në surprizën e organizuar për fëmijët e shtruar në spital nuk mungoi as ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili kishte marrë me vete dhe djalin e tij.
Dhurata shpërndanë edhe efektivë të Repartit “Shqiponja”, efektivë të Policisë Rrugore, si dhe ata të Repartit Zjarrfikës.
Nën moton “Policia e Shtetit, ti je heroi ynë”, fëmijët harruan për disa çaste sëmundjen, duke festuar në një mënyrë krejt ndryshe këtë 1 qershor. Për të elektrizuar edhe më shumë atmosferën, krahas mjeteve të shumta, një helikopter i policisë fluturoi gjatë gjithë shfaqjes sipër godinës së spitalit.
Po ashtu këtë 1 qershor, në të gjithë shkollat e kryeqytetit, efektivë policie u dhuruan fëmijëve logon që u ishte dedikuar atyre.
Top Channel