Bllokohen eksportet e naftës. Prokuroria mbyll “Petroliferën” pas ndotjes së detit

01/06/2016 00:00

Mbyllja e “Petroliferës” pas derdhjes së naftës në Zvërnec ka sjellë dhe një pasojë tjetër jo të vogël ekonomike, duke çuar në bllokimin e plotë të eksporteve të naftës nga Shqipëria.

Përveçse terminali më i madh, “Petrolifera” është edhe porta kryesore e eksporteve të naftës për shkak të avantazheve jo vetëm logjistike, por edhe në kosto, të cilat burojnë nga afërsia e këtij terminali me vendburimet më të mëdha të naftës në vend.

Por një javë më parë, pikërisht gjatë ngarkimit të një anijeje me naftë bruto, pati një incident që përfundoi me derdhjen e naftës në det dhe ndotjen e 5 kilometrave vije bregdetare në plazhin e Zvërnecit.

Menjëherë pas ngjarjes, terminali është bllokuar nga Prokuroria, e cila është duke kryer procedurat hetimore. Drejtues të “Petrolifera” u shprehën për Top Channel se anija që shkaktoi ndotjen vazhdon të jetë e bllokuar, por në port janë edhe dy anije të tjera që kishin mbërritur për t’u ngarkuar me nfatë, por që janë në pritje për shkak të pezullimit të punës së portit.

Eksportuesi më i madh i naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum”, në ditën që njoftoi kalimin e aksioneve tek grupi kinez “Geo Jade”, deklaroi se ka nisur uljen graduale të prodhimit të naftës në Shqipëri. Kjo, për shkak të pamundësisë për të eksportuar, çka sipas saj mund të çojë edhe në mbylljen e fushës së Patos Marinzës për dy ditët e ardhshme.

Megjithatë “Bankers” thotë se pezullimi i “Petrolifera” pritet të hiqet në ditët e ardhshme, duke lejuar këtë kompani të rifillojë prodhimin e naftës si zakonisht në vendburimin Patos Marinzë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA