Samiti i NATO-s në Varshavë, Stoltenberg: Rrisim praninë ushtarake në Lindje

31/05/2016 00:00

Në 200-vjetorin e universitetit shtetëror të Varshavës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se, në samitin e ardhshëm të aleancës do të vendoset shtimi i pranisë së NATO-s në Lindje. Sa i përket marrëdhënieve me Rusinë, që sa vijnë e bëhen më delikate, Stoltenberg me diplomaci tha se NATO mbetet e përkushtuar për dialog me Moskën.

“NATO nuk kërkon konfrontim me Rusinë. Ne nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë. Ne nuk duam një garë të re armatimesh. Rusia është fqinji ynë më i madh, një anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ende luan një rol konstruktiv në çështjet botërore. Ne e pamë këtë me negociatat bërthamore të Iranit dhe në shkatërrimin e armëve kimike në Siri. Qëllimi ynë është shumë pozitiv dhe duam një marrëdhënie më bashkëpunuese me Rusinë. Vet Polonia ka paraqitur propozime konstruktive për të forcuar masat e ndërtimit të besimit”, tha Stoltenberg.

Sa i përket takimit historik në këshillin e NATO-s me Rusinë, Stoltenberg shtoi se rëndësia e tij është e madhe, pasi shihet si kanali i komunikimit dhe dialogut politik. Në Samitin e Varshavës, edhe terrorizmi do të jetë bosht i bisedimeve.

“Aleatët e NATO-s kanë marrë masa të drejtpërdrejta ushtarake, si pjesë e koalicionit global kundër ISIS-it. Në fakt, trajnimi i forcave lokale shpesh është arma jonë më e mirë kundër terrorizmit. Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë, kryesisht në Afganistan dhe në Irak. Për të njëjtën arsye, ne jemi duke ndihmuar partnerët tanë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, për të ndërtuar institucione të forta të mbrojtjes dhe për të rimarrë në duar territoret e humbura”, tha Stoltenberg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA