Alvaro Morata duket se po shfaq dyshimet e tij në lidhje me të ardhmen. Sulmuesi i Juventusit është bërë sërish objektiv i Realit të Madridit, me kampionët e Evropës që do të tentojnë riblerjen e kartonit të tij. Por problemi për “Los Blancos” qëndron te pretendimi i futbollistit, i cili kërkon të luajë si titullar, diçka që ai vetë e sheh të vështirë.
“Dëshira ime është të triumfoj te Reali i Madridit, por atje ka lojtarë të mëdhenj dhe unë dua që të luaj gjithnjë e të ndihem i rëndësishëm. Sezonin tjetër do të luaj te skuadra që do të më japë më shumë mundësi. Kam marrë disa oferta nga Premier League që më kanë tunduar e jo vetëm për kontratën. Besoj se kampionati anglez do të ishte diçka pozitive për karakteristikat e mia”, mësohet të ketë thënë Alvaro Morata.
Morata nuk harron të flasë për eksperiencën e tij te Juventusi, të cilën ai e vlerësoi në maksimum.
“Përjetova një eksperiencë pozitive te Juventusi. Fitova gjithçka në Itali dhe arrita të luaj edhe një finale të Ligës së Kampioneve, ku shënova edhe gol. U përmirësova shumë si futbollist e si person. Jam një lojtar krejt ndryshe nga ai që ishte në Madrid. Por mbi të gjitha, tregova se mund të luaj në një skuadër të madhe”, tha Morata.
Top Channel